E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka pritur në takime të veçanta Ambasadorin e ri të Greqisë në Tiranë, Pantelis Carabassis, Ambasadorin zviceran në Tiranë, Erich Pircher dhe Ambasadorin Bul

Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka pritur në takime të veçanta Ambasadorin e ri të Greqisë në Tiranë, Pantelis Carabassis, Ambasadorin zviceran në Tiranë, Erich Pircher dhe Ambasadorin Bullgar, Bobi Bobev.

ZëvendësKryeministri Dokle në takimin me Ambasadorin e ri grek në Tiranë, i shprehu atij urimet për këtë detyrë, si dhe falenderoi në emër të Qeverisë Shqiptare për bashkëpunimin e frytshëm mes të dy vendeve tona.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin opinion lidhur me thellimin e bashkëpunimit për reforma më angazhuese që e afrojnë Shqipërinë më pranë institucioneve Euro-Atlantike.

Në këtë takim Z.Dokle theksoi angazhimin maksimal të Qeverisë Shqiptare për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafiqet ilegale. Ai tha se në këtë fazë të re të luftës ndaj trafikantëve, Qeveria po merr masat e nevojshme për një kuadër të plotë ligjor e masa operacionale dhe administrative, si dhe është e vendosur të godasë pa asnjë hezitim trafikantët dhe të gjithë ata që kanë lidhje me krimin. Lidhur me këtë, Z.Dokle u shpreh për forcimin e bashkëpunimit edhe më efikas mes vendeve fqinjë në përballjen me sfidën e përbashkët të luftës kundër këtyre fenomeneve.

Nga ana e tij, Ambasadori grek ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për të ndihmuar Shqipërinë në hapat që po hedh në drejtim të integrimit në strukturat europiane, si dhe për thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

***
Zëvendëskryeministri Namik Dokle në takimin me Ambasadorin zviceran në Tiranë, e njohu atë me prioritetet e kabinetit të ri Qeverisës për thellimin e reformave, duke theksuar se zbatimi i tyre është një garanci për zhvillimin e vendit dhe arritjen e standarteve të kërkuara. Z. Dokle u shpreh se Qeveria Shqiptare është plotësisht e vendosur për ta çuar vendin përpara drejt zhvillimit dhe modernizimit.

Më tej Z.Dokle dhe Ambasadori Pircher kanë biseduar për mundësitë e rritjes së investimeve zvicerane sidomos në sektorët strategjikë të ekonomisë dhe për probleme të tjera me interes të përbashkët.

***
Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka zhvilluar një tjetër takim me Ambasadorin e Bullgarisë në Tiranë, Bobi Bobev.

Z.Dokle shprehu kënaqësinë për nivelin e deritanishëm të marrëdhënieve shumëplanëshe mes të dy vendeve tona, duke siguruar se angazhimi i Qeverisë Shqiptare për një bashkëpunim rajonal të frytshëm në funksion të integrimit të përbashkët drejt BE-së, nuk do të mungojë.

Duke vlerësuar dialogun politik midis dy vendeve bashkëbiseduesit theksuan se ai duhet të konkretizohet vazhdimisht me projekte konkrete me interes të ndërsjelltë. Ata vlerësuan se thellimi i reformave të ndërrmarra dhe kooperimi i ndërsjelltë në fusha të ndryshme të zhvillimit do të jetë një faktor determinant në kuadër të integrimit rajonal dhe më gjerë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›