Zëvendëskryeministri i Maltës vizitë në Tiranë

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maltës, Tonio Borg, ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë, me ftesë të homologut të tij Edmond Haxhinasto.
Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se gjatë kësaj vizite ministrat e jashtëm të dy vendeve do të trajtojnë çështje të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh, axhendën evropiane të Shqipërisë, si dhe zhvillimet më të fundit në rajon e më gjerë.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, zyrtari i lartë maltez do të zhvillojë takime me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministrin Sali Berisha, si dhe Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço.