Zëvendëspresidenti i KE-së Barrot shprehet se Komisioni Europian mirëpret progresin e Shqipërisë
Kryeministri Berisha zhvilloi sot, në Davos, një takim me Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe komisioner për Drejtësinë dhe Sigurinë Jacques Barrot.
Kryeministri Berisha e njohu zotin Barrot me përpjekjet e qeverisë shqiptare për arritjen e kritereve dhe standardeve për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Në këtë drejtim, kryeministri Berisha e njohu zotin Barrot veçanërisht me mbarëvajtjen e procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftim dhe pasaporta biometrike të standardeve më të mira, dixhitalizimin e regjistrave të gjendjes civile, përpjekjet për një kontroll rigoroz të kufijve, luftën dhe arritjet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Zëvendëspresidenti i KE-së Barrot u shpreh se Komisioni mirëpret progresin e Shqipërisë. Duke vlerësuar arritjet e deritanishme të Shqipërisë në procesin e reformave, zoti Barrot siguroi për mbështetjen e Komisionit Europian në përpjekjet e qeverisë shqiptare për konsolidimin e këtyre reformave.
Gjatë takimit, u diskutua gjithashtu, për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria, pasi ka realizuar ratifikimin e MSA-së nga 27 vende anëtare të Bashkimit Europian dhe me suksese të qarta në reformat të njohura edhe raporti i KE-së, do të aplikojë gjatë Presidencës Çeke për statusin e kandidatit.
Zoti Barrot iu përgjigj me kënaqësi ftesës së Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë.
30/01/2009