E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjatimi i Bulevardit dhe Lumi i Tiranës, miratohet granti 7 mln eurosh i qev. së Katarit

TIRANË-  Këshilli Bashkiak me 29 vota pro, asnjë kundër dhe 20 abstenime ka miratuar grantin prej 7 milionë eurosh që qeveria e Katarit ka dhuruar për financimin e projektin për zgjatimin e Bulevardit të madh 'Dëshmorët e Kombit' dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës, që mban firmën e studios “Grimshaw Architects” LLP, e cila fitoi konkursin ndërkombëtar. 

Gjatë diskutimii për projektin për zgjatimin e bulevardit të madh 'Dëshmorët e Kombit' dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës, këshilltarë e majtë u përfshinë në debate me kryebashkiakun Basha.

Kryebashkiaku Lulzim Basha gjatë fjalës hapëse të mbledhjes vlerësoi dy projektet të rëndësishme për Planin Urbanistik të Tiranës si dhe për zhvillimin e kryeqytetit. 

Këshilltari i majtë Aldrin Dalipi në emër të socialistëve ka sulmuar Planin Urbanistik të Tiranës duke akuzuar kryebashkiakun Basha për klientelisëm dhe fushatë elektorale.

“Tirana është mbushur me ndërtime pa leje, që jo vetëm e kanë vënë në pikëpyetje planin por edhe besimin e qytetarëve. Plani ishte për efekte klienteliste dhe elektorale po shtoi dhe interesa te tjera. Plani Urbanistik nuk është gjë për tu mburrur pasi është plan klientelist. Ne kemi qenë kundër buxhetit pasi nuk ka qenë transparent dhe nuk na është dhënë asnjë informacion”, tha Dalipi. 

Basha hodhi poshtë akuzat duke theksuar se këshilltarët e majtë po parashtrojnë arsye politike me qëllim mosvotimin e vendimeve. Sipas Bashës Plani Urbanistik i Tiranës është bërë në transparencë të plotë pasi është diskutuar për 3 muaj rresht me qytetarët edhe grupet e interesit. 

Qeveria e Katarit ka ofruar një grant prej 7 milionë eurosh për financimin e këtij projekti, që mban firmën e studios “Grimshaw Architects” LLP, e cila fitoi konkursin ndërkombëtar.

Në projektvendimin e propozuar nga Bashkia e Tiranës përcaktohen detyrimet financiare që rrjedhin nga ky grant. Bashkia do të ketë për detyrim lehtësimin e procedurave dhe praktikave që do të aplikohen gjatë zbatimit të projektit. Po kështu duhet të mbulojë të gjitha taksat direkte dhe indirekte, si dhe taksat doganore që aplikohen sipas legjislacionit shqiptar. Po kështu, Bashkia do të përzgjedhë supervizorin për mbikëqyrjen e punimeve të këtij projekti deri në realizimin e tij. 

KËSHILLI BASHKIAK DISKUTIME PËR PROGRAMIN EKONOMIK DHE PUNËSIMIN
Pas miratimit prej 7 milionë eurosh që qeveria e Katarit ka dhuruar për financimin e projektin për zgjatimin e Bulevardit të madh 'Dëshmorët e Kombit' dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës, Këshilli Bashkiak vijoi me diskutime për programin ekonomik dhe punësimin

Këshilltarët u përfshinë në diskutime për procedurat për përzgjedhjen e bankës së nivelit të dytë, e cila do të lëvrojë fondin prej 1 milion eurosh nga i cili do të përfitojnë të gjithë të rinjtë deri në 35 vjeç që duan të hapin një biznes.

Nënkryetarja e Bashkisë Jorida Tabaku deklaroi se vetëm në 4 vitet e fundit të qeverisjes së PD-së janë hapur 8200 vende pune. Tabaku theksoi se banka fituese do të jetë ajo që ofron normën më të ulët të interesit. 

Gjatë diskutimeve Tabaku u përfshi në debate me Adriana Berberin. ‘Nuk e di ku zonja Berberi i ka marrë shifrat për të ardhurat e Tiranës. Realizimi për vitin 2012 ka qenë 87 % e të ardhurave. Nga 18 mijë subjekte që paguanin tatime ne i kemi cuar në 24 mijë biznese. Në lidhje me taksën e telefonisë celulare në asnjërin vit nuk është parashikuar e ardhur për këtë taksë”, tha Tabaku, duke shtuar se taksat e ndikimit në infrastrukturë vjen nga ndërtimet e reja dhe procesi i legalizimeve, të cilat justifikojnë të ardhurat në rritje.

Replika e Berberit: “Unë them nëse do më sillni aktin dhe për të dhënat që ju kam sjellë unë nuk përputhen do ju kërkoj ndjesë publike’. 

Këshilltari Maksim Begeja (PR), u shpreh pro programit të Bashkisë për programin ekonomik dhe punësimit. Ndërkohë, vuri theksin tek cështja e shpronësimeve.

“Për shpronësimet që janë bërë në 2006 dhe nuk është parashikuar asnjë vend. Cdo të bëhet do i themi pronarëve se nuk kanë të drejtë”, tha Begeja.

Tabaku sqaroi se Bashkia ka parashikuar fondin për shpronësimet, por për detyrimet e prapambetura 'zëri' është më i vogël.

PUNËSIMI/ BASHA: 1 MILION EURO PËR HAPJEN E BIZNESEVE NGA TË RINJTË
Të rinjtë deri në moshën 35-vjeç, të cilët kërkojnë të hapin një biznes, do të përfitojnë nga fondi prej 1 milion euro i Bashkisë së Tiranës.

Për të realizuar këtë, kryebashkiaku Lulzim Basha ka dërguar për miratim në këshill pr/vendimin për "Zbatimin e Programit Ekonomik dhe Punësimit "Skema e Fondit të Garancisë" si dhe miratimin e kritereve dhe proçedurave për përzgjedhjen e bankës së nivelit të dytë"’.

"Edhe ky pr/vendim lidhet me çështjet e zhvillimit ekonomik dhe të punësimit, konkretisht me fondin që Bashkia po vë në dispozicion si garanci ndaj bankave komericale për të nxitur kreditimin e ndërmarrjeve të reja, bizneseve që nisin qytetarët e Tiranës në moshën 35 vjeç. Vendimi i hap rrugë bankave për dhënien e një kredie me intresa të ulta", tha Basha në këshill.

Sipas tij, një nga 16 bankat tregtare që operojnë vend, do të përzgjidhet fituese për të ofruar shërbimin financiar për realizimin e projektit të Bashkisë së Tiranës "Skema e Fondit të Garancisë", që do të zbatohet në kuadër të Programit të Zhvillimit Ekonomik dhe Punësimit.

RENDI I DITËS
Projekti për zgjatimin e bulevardit të madh Dëshmorët e Kombit dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës janë ndër çështjet kryesore që do të diskutojë Këshilli Bashkiak sot në mbledhjen e tij të radhës. Qeveria e Katarit ka ofruar një grant prej 7 milionë eurosh për financimin e këtij projekti, që mban firmën e studios “Grimshaw Architects” LLP, e cila fitoi konkursin ndërkombëtar.

Në projektvendimin e propozuar nga Bashkia e Tiranës përcaktohen detyrimet financiare që rrjedhin nga ky grant. Bashkia do të ketë për detyrim lehtësimin e procedurave dhe praktikave që do të aplikohen gjatë zbatimit të projektit. Po kështu duhet të mbulojë të gjitha taksat direkte dhe indirekte, si dhe taksat doganore që aplikohen sipas legjislacionit shqiptar.

Po kështu, Bashkia do të përzgjedhë supervizorin për mbikëqyrjen e punimeve të këtij projekti deri në realizimin e tij. Në mbledhjen e së martës Bashkia do të dërgojë për miratim edhe një tjetër projektvendim. Në të përcaktohen kriteret dhe procedurat për kriteret e përzgjedhjes së bankës së nivelit të dytë, e cila do të lëvrojë fondin prej 1 milion eurosh nga i cili do të përfitojnë të gjithë të rinjtë deri në 35 vjeç që duan të hapin një biznes.

Këshilli do të diskutojë edhe katër p/vendime të tjera si: p/vendimi për "Miratimin e treguesve ekonomikë dhe financiarë të Bashkisë së Tiranës dhe tavaneve përgatitore të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2014-2016"; "Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.8, datë 12.10.2011 për “Miratimin e Strukturës organizative të aparatit të Bashkisë së Tiranës" (i ndryshuar)”; "Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.17, datë 28.02.2013 mbi "Politikën e decentralizimit të disa kompetencave ligjore pranë organeve të Njësive Bashkiake të Tiranës si dhe një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.20 datë 30.04.2007 "Per kalimin e disa kompetencave Njesive Bashkiake dhe një ndryshim në numrin e punonjesve te Njesive Bashkiake dhe Drejtorise se Pergjithshme Nr.1 te Punetoreve te Qytetit" (i ndryshuar)”; “Miratim dhënie ambienti në përdorim Shoqatës Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar "Shpresa për Jetën", me destinacion për Qendër Sociale. 

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›