E Diel, 1 Nëntor 2026

Ben Blushi: E majta do ketë koalicionin më të madh se në 2009

ELBASAN-Deputeti socialist Ben Blushi inauguroi sot zyrën elektorale të Partisë Socialiste në qytetin e Elbasanit. Blushi theksoi se koalicioni opozitar i zgjerua për shkak se e djathta është e pavotueshme.

Blushi garantoi e majta do të ketë koalicionin më të madh se në vitin 2009. Sipas Blushit, gjithkush beson se ky koalicion në zgjerim i opozitës do vazhdojë duke maksimalizuar rezultatin e pritshëm dhe pa diskutim në zgjedhjet e 23 Qershorit ai do të garantojë një fitore mjaft bindëse.

“Absolutisht besohet se kjo fitore do të jetë e thellë, jo vetëm për shkak të koalicionit të zgjeruar, por edhe për shkakun mjaft domethënës se tashmë e djathta shqiptare është bërë e pavotueshme. Kohët e fundit në kampin kundërshtar po mbizotëron fenomeni i erozionit politik dhe ky po e shkërmoq koalicionin qeveritar duke e bërë atë të tkurret më shpejt se çmendohej”. 

Së fundi edhe në Elbasan është rishfaqur entuziazmi i munguar dhe mbështetësit duket tejet të motivuar në prag të fillimit të fushatës zyrtare elektorale të 23 Qershorit. Në takimet e të martës të zhvilluara nga Ben Blushi me bazën dhe strukturat e PS me rastin e hapjes së zyrave elektorale të PS në Elbasan ka rënë në sy pjesmarrja tepër masive e anëtarëve, simpatizantëve dhe jo vetëm.

“Kjo tregon qartë, deklaroi Blushi,- se fitorja në 23 Qershor patjetër që do të jetë e sigurtë, por dhe mjaft e thellë. Elbasani padyshim që do të jetë surpriza më e këndshme e të majtës që në zgjedhjet e fundit u nda në barazim në këtë Qark 7 me 7. Në këtë Qark, koalicioni aktual opozitar sipas tij do të marrë shumicën e mandatave, pra një fitore tepër bindëse. Elbasani për të majtën nuk është më një nga Qarqet delikate, por një nga ato më të sigurtat për arritjen e fitores tonë. Këtë fitore PS dhe koalicioni i saj do e arrijnë jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë Shqipërinë si në qytete edhe në fshatra pasi vetëm kështu mund bëhet ndryshimi i shumëpritur nga të gjithë shqiptarët”.

(d.b/Fatmir Popja/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›