Zgjatimi i bulevardit, Basha: Dy studio me pikë të barabarta
Nga 7 kompani në garë, dy do të synojnë të marrim miratimin e qytetarëve për projektin e zgjatimit të Bulevardit të Tiranës. Juria ndërkombëtare ka bërë zgjedhjen e saj ndërsa tashmë u takon vetë banorëve të kryeqytetit që të japin vlerësimin final që sipas kryebashkiakut Basha do i hapë rrugë zgjerimit të Tiranës europiane. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Basha theksoi se dy kompanitë që janë përzgjedhur janë studiot DAR Group Turkey & United Kingdom , dhe The Netherlands Grimshaw Architects midis të cilave do të shpallet zbatuesja finale e projektit të bulevardit.
"Dilemën e firmës së parë juria ka mundur ta zgjedhë vetëm pjesërisht duke ja akorduar vlerësime të barabarta dy kompanive prestigjoze Grimshow dhe Dar. Çfarë do të thojë kjo? Secili prej këtyre shtatë projekteve të denja për implementim në Tiranë do të ekspozohet përpara organeve vendimmarrëse dhe qytetarëve të Tiranës. Për dy projektet e Grimshaw dhe DAR kjo juri, Bashkia e Tiranës, grupet e interesit dhe qytetarët do paraqesin një numër çështjesh e pyetjesh për detajim të mëtejshëm. Brenda një afati të caktuar do zgjedhim mes dy projekteve atë fitues për të nisur implementimin e tij”, theksoi Basha.
Kryebashkiaku Basha tha gjithashtu se juria ka vendosur të japë edhe një çmim të veçantë për inovacionin dhe konceptet e reja në fushën e arkitekturës urbane për trajtimin e sfidave për bulevardin e ri të ndarë mes dy firmave, KCAP dhe West 8.
Ai gjithashtu theksoi se shtatë studiot që u morën me projektin për zgjatimin e Bulevardit të Tiranës meritojnë përgëzime. “Askush nga ne nuk priste të ballafaqohej me një përfaqësim kaq dinjitoz që ju sollët këtu me punët tuaja. Pamë zgjidhjet tuaja për disa prej çështjeve kyçe të Tiranës. Pamë zgjidhje klasifike dhe innovative e trajtime të ndryshme të cilat ndryshonin në përmbajtje, përqasje, filozofi e koncepte. Secila prej tyre ishte kampion i mendimit intelektual. Na frymëzuat dhe ky ishte një 24 orë i vlefshëm për studentët e arkitekturës në këtë vend. Secili prej projekteve mund të ishte projekti fitues. Secili prej projekteve në egzekutim do ti bënte nder çdo qyteti e do përballonte sidat. Fatkeqësisht ne duhet të përzgjedhin si juri projektin fitues. Përzgjedhje që do të bëhet duke përfshirë në vendimmarrje e konsultim publik qytetarët e Tiranës dhe grupet e interesit”, shtoi Basha.
Studiot pjesëmarrëse në këtë konkurs vinin nga Gjermania, Anglia, Italia, Hollanda dhe janë themelueset e mjaft projekteve të njohura në mbarë botën. Bulevardi i ri përfshin një zgjatim drejt Paskuqanit 1.7 km, ndërsa rehabilitimi i lumit të Tiranës mendohet në një sipërfaqe prej 6.7 km.