Zgjatimi i bulevardit, do të merret edhe mendimi i qytetarëve
Dy projektet për zgjatimin e bulevardit Zogu i Parë, të cilat morën të njëjtin vlerësim në konkursin e zhvilluar dy ditë më parë do të ekspozohen pranë Muzeut Kombëtar.
Në këtë mënyrë, sipas Bashkisë së Tiranës, qytetarët do të bëhen pjesë e vendimit final për projektin që do të marrë përsipër zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e Lanës.
Marketet e projekteve mund të vlerësohen nga qytetarët e kryeqytetit, mendimi i të cilëve, së bashku me atë të grupeve të interesit do të shërbejë si baza e zgjedhjes së njërës prej studiove në balotazh, DAR dhe Grimshaw.
Qytetarët mund të jenë pjesë e vendimit final për projektin e zgjatimit të bulevardit. Gjatë këtij procesi mund të kenë ndihmën e specialistëve të urbanistikës, por edhe mund të plotësojnë një formular ku të japin komentin e tyre për secilin nga projektet, tha kryebashkiaku Basha. / G.N.