E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDIU: Shantazhi i Greqisë nuk e ndal dot integrimin e vendit në BE

PDIU-ja ka reaguar ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke, e cila e cilësoi hyrjen në qeveri të dy zv.ministrave të PDIU-së si cenim të marrëdhënieve dypalëshe.

Përmes një deklarate për mediat, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, u shpreh se Greqia po tenton të ndërhyjë në punët e brendshme të Shqipërisë, por nuk mund të ndalë procesin e integrimit të vendit tonë në BE.

Nje sjellje e tillë e shantazhimit të Shqipërisë, me procesin e integrimit, vetëm e vetëm për të përmbushur oreksin e pangopur nacionalist të qarqeve të caktuara në Greqi, nuk ka asnjë gjë të përbashkët me politikën zyrtare të Bashkimit Evropian dhe me vlerat e larta që Brukseli do të përhapë në Ballkan. Ne e sqarojme zotin Dhelavekuras se qëndrimet e PDIU nuk bien kurrsesi ndesh me frymën integruese të Shqipërisë, përkundrazi, në programin e partisë sonë integrimi në Bashkimin Evropian dhe, thellimi i marrëdhënieve me vendet e Aleancës së Atlantikut, janë prioritete thelbësore, thuhet në deklaratë.

Në lidhje me përfshirjen në qeveri, Idrizi thekson se një gjë e tillë nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do sigurojë një zë edhe më të fortë mbështetës, për standardet më të larta të të drejtave të pakicave në Shqipëri dhe në mbarë rajonin.

Duke u ndalur në çështjen çame, Idrizi thekson se kërkesat e tyre janë të frymëzuara nga parimet europiane. Kërkesat legjitime të komunitetit çam, janë të frymëzuara drejtpërsëdrejti nga parimet evropiane më të çmuara, sikurse është, e drejta e pronës, e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe riatdhesimit të Shqiptarëve të Çamërisë në trojet e tyre. Nuk duhet harruar një fakt historik që në vitin e mbrapshtë 1913, që Çamëria u aneksua nga Greqia, ashtu sikurse Kosova u aneksua nga Serbia.Greqia nuk duhet të bjerë pre e rudimenteve shoviniste greke, thotë Idrizi.  / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›