E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhja e 6 gushtit na tregoi se opozitës po na i pëlqeka të rehatohet në opozitë

07-08-2012 / Nga Rajmonda Bulku

Dje ishte një moment thelbësor kur secili prej nesh, ligjvënësve të mandatuar prej zgjedhësve, në qershorin e 2009-s, do të duhej të tregonte se e ka mandatin si i barabartë me zgjedhësit e tij, e jo si një faraon i kohëve moderne. Dje kishim mundësi të tregonim se s’na vjen turp nga mandati ynë, prandaj edhe përshëndetemi pa teklif me fqinjët tanë, presim pa drojë zgjedhësit kurdo që ata na kërkojnë dhe bile shkojmë sa herë mundemi, nëpër lagjet a fshatrat, përpara investimeve e sidomos sa më shpejt pas fatkeqësive.
Por unë s’kisha pikëpyetje në këtë ditë! E dija se kolegët e opozitës s’kishin për ta votuar nismën për heqjen e imunitetit e për barazimin tonë me zgjedhësit, përpara kushtetutës e ligjit. S’e votojnë ligjin, sepse opozitarëve, po ju zënë frymën hallet, hallet e hershme e hallet e vona; hallet e trashëguara e ato të rejat, që ata vetë i kanë kërkuar me qiri. S’mund të barazohet me qytetarin një deputet që e ka mandatin se është pinjoll i Bllokut famëkeq, as se vjen në këtë parlament si një shërbëtor modern i nomenklaturës komuniste. Këto halle të vjetra janë hallet e shumicës së kolegëve të opozitës, prandaj edhe ishte e pamundur të hiqnin dorë prej imunitetit, prej kësaj korace që ju jep garancinë të mos kenë drojë kur dalin në publik. E duan imunitetin se s’guxojnë t’u dalin përpara fqinjëve të tyre, të cilëve ua kanë grabitur të ardhmen për dekada me radhë, e duan imunitetin se s’guxojnë t’u dalin përpara pinjollëve të familjeve që pësuan nga diktatura komuniste, e duan imunitetin sepse s’munden t’i fshihen ndonjë shkëndije hetimi që mund të ndizet tek sistemi ynë i drejtësisë...
Por mbi të gjitha, opozitarët tanë e duan imunitetin, për shkak të halleve personale që kanë mbjellë, atyre hynereve që janë të padëgjuara e herë-herë edhe më monstruoze sesa ato të baballarëve tuaj. S’ka nevojë t’i numërojmë paudhësitë emër për emër e vend për vend. Mjafton të kujtojmë se në opozitë janë autorët që ndërtuan një rrethim të ri për shqiptarët, edhe pas përmbysjes së regjimit, duke i detyruar të ikin maleve e detrave, duke humbur jetën, njësoj si në klonet e Ramiz Alisë. Tragjedia e Karaburunit është një kujtesë e gjallë për të gjithë, e cila s’mund të fshihet as me heqjen e vizave në 2010-n. Familjarët e atyre që humbën jetën në atë natë të ftohtë janari klithin çdo ditë për drejtësi... dhe vendosja e drejtësisë bëhet kur në bankot e drejtësisë të shkojnë disa prej ithtarëve të regjimit që vendosën për vite me radhë opozitarët tanë. Është një drejtësi e padhënë për shkak të këtij imuniteti. Është një drejtësi e padhënë edhe për dhjetëra gra e vajza të cilat ranë pre e klientelës së pushtetit para 2005-s e sot e kësaj dite s’e kanë ndërtuar të ardhmen e tyre, për shkak se s’mundin të përballen me koracën e imunitetit tuaj. Mungesa e dëshmitarëve në gjyqet më të famshme në aulat tona e ka burimin tek koraca juaj e imunitetit. Opozitarët e përqeshnin vullnetin për drejtësi të të gjithëve ne, sa herë mediat jepnin lajme se Aldo Bare ia kishte dalë t’i shpëtonte drejtësisë, ju na përqeshnit sa herë bllokoheshin reformat që do të mund të sillnin pasaportat biometrike e më pas lëvizjen e lirë të bashkaatdhetarëve tanë, na përqeshnin sa herë planifikonim rreth 30 përqind të buxhetit për ndërtim rrugësh, sepse kishim trashëguar një infrastrukturë mesjetare, ju e përqeshnit çdo shqiptar, sa herë s’mundej të çante përpara, për shkak se s’vinte prej Zonës Operative, prej metastazave të nomenklaturës komuniste.
E prapë vijojnë të na përqeshin, kolegët jo të nderuar të opozitës, sepse dikush ju ka thënë se kanë të drejtën e vetos për imunitetin. Pinjolli i regjimit të vjetër, njeriu që ka ardhur si kryetar me një vendimmarrje të denjë për zezonat e cosa-nostras, i ka garantuar ata se sa të jetë ai, s’ka për të hequr dorë nga imuniteti. Prandaj edhe dje në parlament ata erdhën e luajtë një farsë me buratinë, sikur donin të hiqnin dorë nga imuniteti...
Por jo tani, por diku në vjeshtë, ndoshta diku në fresk... Janë përralla! Janë përralla dimri, përralla si bashkëpunimi i gënjeshtërt për heqjen e vizave, përralla si reformat për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, përralla si ato për anëtarësimin në NATO. Vullneti për reforma i opozitës është një përrallë, vullneti për heqjen e imunitetit është një përrallë. Fakt është se kundërshtarët tanë politikë s’i lënë hallet e trashëguara e hyneret personale që të barazohen me të gjithë shqiptarët. Fakt është se opozita e kërcënoi Evropën që të mos na i hiqte vizat, pasi kontinenti 700 milionësh do të përmbytej nga 800 mijë shqiptarë; fakt është protesta publike e tyre ditën kur Shqipëria mori ftesë për anëtarësimin në NATO; fakt është përpjekja e tyre titanike për të ndaluar ndërtimin e Rrugës së Kombit dhe bashkimin shpirtëror të dy pjesëve të kombit.
Këto fakte më ndihmojnë të mos endem në qerthullin e iluzionit e të mos ushqej shpresa se ndoshta në shtator do të mund të pranohet heqja dorë nga imuniteti. Edhe shtatori do të shkojë, do të shkojë sepse kryetari i opozitës e ka mendjen tek tetori, e ka mendjen tek tmerri se mos barrikada e tij shkon kot, se mos Shqipëria e merr statusin e kandidatit... E atëhere vajmedet! Vajmedet për kryetarin që s’përmbushi dot pritshmërinë e nomenklaturës enveriste për ta mbajtur vendin të izoluar, si një rezervat në Evropë, ku si shushunja do mbijetojnë veç pinjollët e brezit të dytë të Bllokut komunist...
Është fatkeqësi që këto fakte i lexojmë ditën për diell në 100 vjetorin e pavarësisë, por më mirë t’i lexojmë sesa të endemi në një gënjeshtër që na bën dëm e veç na vonon në rrugën tonë drejt integrimit.
Dje, 6 gushti na erdhi në ndihmë për të kuptuar se janë do soj trashëgimtarësh të komunizmit që duan ende të na mbajnë peng...i duan shqiptarët ende si një kooperativë votash e ëndërrojnë që ata do të mbeten përjetësisht një rezervat njerëzor... 6 gushti na tregon se ka ikur koha e barrikadave, ka ikur koha e vetos... procesi i integrimit tonë në BE s’mund të ketë veto, pasi mbi 90 përqind e shqiptarëve duan që ai të ndodhë sa më shpejt. Prandaj edhe vetoja e djeshme socialiste për imunitetin s’ka për të qenë veto për integrimin, pasi ndërkombëtarët e shohin se vullneti i 90 përqind të shqiptarëve, nuk është vullneti i dhjetëra kartonëve të deputetëve që kanë frikë të dalin nga lagjja ku janë rritur se mund t’i linçojnë viktimat e mashtrimeve të tyre... Ndërkombëtarët e kanë kuptuar se vullneti i shqiptarëve s’mund të merret peng nga disa numra llogarie nëpër banka, të cilat çelen sa herë ka nevojë për revolta e grushte shteti, apo sa herë duhen paguar disa kasnecë nëpër Evropë.
Dje ishte 6 gushti, një rast për opozitarët të çliroheshin nga pengmarrja e atyre që me imunitetin po mbrojnë pronat e vjedhura... Dje ishte rasti për të votuar, për të dhënë një votë të drejtë që mund t’i nxirrte disa deputetë nga rreshti i partisë...por mund t’i fuste tek rreshti i nderit..., ishte rasti për një votë që do t’ia shpaguante, sepse të nesërmen fqinjtë do t’i përshëndesnin me respekt!
Por dje ishte dita e një përzgjedhjeje fatkeqe prej një opozite që është rehatuar në opozitë e synon veç ruajtjen e “status-quo”-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›