E Diel, 1 Nëntor 2026

Thelbi është tek bllokimi i statusit, jo tek bizantologjia e fjalimeve të opozitës

07-08-2012 / Nga Arben Imami

Sot do të duhej të ishte një moment historik në jetën e parlamentarizmit në Shqipëri. Kjo për tre motive të rëndësishëm; së pari do të mund dëshmonim vullnetin tonë si ligjvënës për të qenë të barabartë me qytetarët para ligjit. Në kushtet kur raporti i politikanit dhe funksionarëve kushtetues me qytetarin është raport privilegji, kjo do të ishte jetike; së dyti do të plotësonim një kusht të artikuluar tashmë për të vijuar me procedurat e marrjes së statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimit Europian. Do të ishte një rikthim tek një politikë e qëndrueshme kompromisi ndërmjet mazhorancës dhe opozitës përsa i përket çështjeve të integrimit të vendit; së treti, me votimin e këtij amendamenti kushtetues do tu tregonim qytetarëve se interesi i vendit qëndron mbi interesat e kujtdo individi, e cilësdo partie.
Imuniteti është i lidhur drejtpërsëdrejti me raportin që një shoqëri ka me liritë dhe nivelin e respektimit të lirive. Shqipëria e 2012-ës e ka këtë raport të konsoliduar. Askush nuk persekutohet për shkak të bindjes së tij politike, përkatësisë etnike, fetare apo e çdo natyre tjetër qoftë. Në këto kushte, imuniteti nuk është më mbrojtje e lirive, nuk është më mbrojtje e demokracisë, është një privilegj që përbën një pengesë në luftën kundër korrupsionit. Edhe ju kolegë të opozitës e keni pranuar këtë duke e miratuar në parim e me konsensus draftin që do të votohet sot.
Formalisht kemi rënë dakord për substancën e problemit. Të dyja palët bashkarisht kemi mbërritur tek një variant i përbashkët që reflekton qëndrimet e të dyja palëve dhe njëkohësisht rekomandimet e partnerëve ndërkombëtar. Pyetja që shtrohet është se përse ju nuk pranoni ta votoni këtë amendament, përderisa ekziston kompromisi si për përmbajtjen e tij, aq më tepër mbas dhjetë vjetësh diskutimi të pareshtur. Dikush thotë se data e seancës është imponim i njëanshëm, por opozita e ka votuar në parim dhe nen për nen draftin që kemi përpara. Përderisa kemi rënë dakord për përmbajtjen, çfarë ndryshimi do të përbënte për ju nëse do të votoni këtë draft sot dhe jo nesër? 6 shtator apo në 6 tetor? Kjo nuk ndryshon gjë, e kundërta po. Çdo vonesë në votimin e këtij amendamenti do të rrezikonte marrjen e statusit kandidat. Pra, data është e lidhur me një afat që është tetori i vitit 2012. Prandaj refuzimi i datës së sotme nuk është një shkak racional për mos votimin e heqjes së imunitetit.  
Vendosja e kushteve mbi një kusht, që na e kanë dhënë, aq më tepër për një kusht për të cilin ne kemi rënë dakord, është thelbësisht e papranueshme. Së pari, sepse keni të gjitha garancitë që ju kërkoni pasi kemi rënë dakord që nuk mund të kryhet arresti dhe nuk mund të kryhet kontrolli i banesës, pa lejen e Kuvendit, çështje të cilat në vetvete janë të diskutueshme. Megjithatë, mazhoranca ishte e vendosur për të shkuar drejt heqjes së plotë të imunitetit, por për hir të marrëveshjes dhe me qëllimin e mirë të dhënies së garancive ndaj opozitës, ajo u tërhoq nga qëndrimi i saj, me idenë se imuniteti mund të hiqet në mënyrë të shkallëzuar në raport të drejtë me konsolidimin dhe maturimin e demokracisë. Së dyti, sepse kushtet që ju keni vendosur thelbësisht shkatërrojnë themelet e Kushtetutës, duke e vënë sistemin nën diktatin e pakicës. Ky vend nuk është Bosnje-Hercegovina. Është absurde që të gjithë drejtuesit e institucioneve të jenë të kushtëzuar nga vota e pakicës në parlament. Ne së bashku ndryshuam modalitetet e zgjedhjes së Presidentit për të shmangur krijimin e situatave bllokuese, shtrirja e këtyre kushteve tek një sërë institucionesh të tjera dhe drejtuesish të tyre, do ta shthurte sistemin në mënyrë përfundimtare dhe të pa riparueshme. Kjo është një aventurë politike e juridike të cilës mazhoranca nuk mund dhe nuk do t’i bashkohet. Propozimi juaj është që të shqyrtohet ky amendament i sotëm, i pranuar konsensualisht për imunitetin me propozimet për të cilat mazhoranca nuk është absolutisht dakord.  
Duket qartë se ky nuk është thelbi i problemit. Thelbi i problemit është se ju nuk doni heqjen e imunitetit. Paradoksi është se ju akuzoni nga njëra anë mazhorancën për korrupsion dhe kur mazhoranca është e gatshme të dorëzojë imunitetin e saj, ju tërhiqeni nga qëndrimet tuaja. Akuzimi i mazhorancës për korrupsion nga një anë, dhe mbrojtja e imunitetit nga ana tjetër, janë përjashtimore, të nderuar kolegë të opozitës. Votimi i sotëm mbase nuk e zgjidh përfundimisht problemin e imunitetit në qoftë se nuk do të jenë votat e të dyja palëve këtu në Parlament. Por ai do të tregojë qartë se kush punon për interesin madhor të vendit, për integrimin e tij dhe kush punon për interesa partikulariste  dhe partiake. Po tregoj se kush ka vullnet real për të luftuar korrupsionin dhe kush e përdor atë thjesht për qëllime politike. Pavarësisht nga arsyet tuaja, shpjegime për të cilat tek e fundit nuk kanë vlerë, edhe bizantologjia do ta kishte të vështirë të depërtonte në to. 
Ajo që duhet nënvizuar është se opozita po bllokon statusin e vendit si kandidat në Bashkimin Europian, për të tretën herë.

Fjala e mbajtur nga ministri i Mbrojtjes në seancën e djeshme plenare në Kuvend

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›