Zgjedhja e Obamës, konteksti historik
Për të vlerësuar plotësisht arritjen historike të Barack Obamës ia vlen të kujtohet pamja e Amerikës së vitit 1961, kur ai lindi.
Në atë kohë pjesa më e madhe e jugut të Amerikës mbizotërohej nga ndasitë, njerëzit ndaheshin nga pikëpamja raciale që nga djepi e deri në varr.
Zezakët apo negrit, siç quheshin atëherë, lindnin në spitale të veçuara, shkolloheshin në një sistem arsimor të veçuar, varroseshin në varreza të veçuara.
Washington DC akoma konsiderohej si një kryeqytet i vështirë për diplomatët afrikanë. Ata nuk lejoheshin të banonin në pjesët më të mira të qytetit dhe nuk u shërbehej as nga berberët e lagjeve më në zë të qytetit. Kur shkonin në Kombet e Bashkuara në Nju Jork ata ndiqnin rrugën me numër 40, përgjatë së cilës kishte motele e restorante të veçuara.
Kur u bë president në vitin 1961, Jack Kennedy emëroi disa zezakë në poste të larta. Këshilltari më i vlerësuar afrikano-amerikan i presidentit të ri ishte George Thomas, puna e të cilit çdo mëngjes konsistonte në zgjedhjen e rrobave të ditës për presidentin.
Barack Obama nuk ka folur shumë për luftën e zezakëve për barazi, as për dekadën e trazuar kur lindi. Ai është përpjekur të mos e vërë theksin tek ngjyra e lëkurës së tij dhe ua ka lënë të tjerëve bashkëngjitjen e domethënies së racës në kandidaturën e tij.
Çështja e racës është e rëndësishme. Që prej përfundimit të Rindërtimit, periudha pas luftës civile, Shtetet e Bashkuara kanë pasur vetëm tre senatorë zezakë. Vetëm dy shtete, Masaçusets dhe Virxhinia kanë zgjedhur guvernatorë zezakë.
Me zgjedhjen e një presidenti zezak u bë realitet ajo që shumë e shihnin si diçka politikisht të pamundur.
Më 28 gusht 1963, Martin Luther Kingu foli për ëndrrën e tij për Amerikën, duke pasur si sfond të lavdishëm statujën e Abraham Linkolnit.
Më 20 janar 2009, Barack Obama do të shfaqet në shkallaren perëndimore në Capitol Hill në Uashington për të vulosur triumfin e tij historik vetëm me 35 fjalët e betimit presidencial*Autori eshte korrespodent i BBC