Edi Rama: PS do të dalë e vetme në zgjedhje
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka deklaruar sot në një intervistë për BBC se partia që ai drejton do të dalë e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. “Jemi në një sistem të ri zgjedhor dhe në këtë sistem të ri çdo forcë politike konkuron me programin, ekipin dhe liderin e vet”, tha Rama. Sipas tij votat do të jenë të përveçme edhe në rastet e koalicioneve.
Cili është qëllimi i vizitës suaj në Britaninë e Madhe?
Rama: Kjo është një vizitë e organizuar nga ambasada Britanike në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme të këtushme. Përmban një sërë kontaktesh shumë të vlefshme qoftë me Parlamentin Britanik, qoftë me qeverinë britanike, si dhe me Partinë Laburiste, kontakte të cilat i kam shfrytëzuar për të bërë të njohura problematikat dhe pozicionet tona, lidhur me reformat, lidhur me gjendjen e vendit, me integrimin në NATO dhe BE të Shqipërisë, por edhe për të mësuar shumë lidhur me funksionimin e qeverisë britanike, me funksionimin e Partisë Laburiste dhe njëkohësisht për të vendosur ura bashkëpunimi, që besoj do të jenë shumë të vlefshme, qoftë në nivelin e organizimit partiak, qoftë nesër në nivelin e organizimit qeveritar.
BBC: Ju jeni para zgjedhjeve. Viti 2009 lakohet shumë si viti që do të sjellë ndryshimin. Ju jeni në krye të partisë për tre vite që mbas zgjedhjeve të kaluara dhe ju premtuat se do ta transformoni partinë. Mendoni se ia keni arritur kësaj dhe e keni bërë partinë tuaj gati për zgjedhjet e 2009?
Rama: Një parti është një organizëm i gjallë, e cila ka nevojë çdo ditë për ajër, ushqim, lëvizje dhe në këtë kuptim është në transformim të vazhdueshëm. Unë jam besimplotë që PS është ndarë me ato aspekte negative dhe me ato lidhje të politikës së shkuar që e çuan në opozitë dhe ka hapur një rrugë të re e cila padyshim është e gjatë, ka vështirësitë e veta, e cila padyshim nuk është në të gjithë ecurinë e saj e sheshtë dhe pa pengesa, por është qartësisht një rrugë alternative për mënyrën e të qënurit një partie politike për përqasjen e kësaj partie ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndaj shqetësimeve, problemeve, nevojave, dëshirave dhe ëndrave të njerëzve dhe njëkohësisht për ndërtimin e asaj force domosdoshme qeverisëse që i duhet Shqipërisë për të dalë nga një tranzicion raskapitës dhe bataku i politikës së vjetër.
BBC: A është gati partia juaj për zgjedhjet, edhe nga ana strukturore, sepse vihet re një lloj dualizmi. Shumë figura të reja kanë ardhur në parti këto vitet e fundit, ata përfaqësojnë partinë shpesh në konferenca shtypi duke paraqitur programet e partisë, por kemi edhe një anë tjetër atë të parlamentit. Duket sikur ka dy parti, një parti në parlament dhe një jashtë saj, pra kemi figurat e reja dhe figurat e vjetra në parti. Keni mundur ju të krijoni një kohezion në parti?
Rama: Ky nuk është dualizëm, por harmonizim gjeneratash, moshash, gjinish, këndvështrimesh dhe energjish, të cilat janë të domosdoshme për një familje të madhe politike, siç është Partia Socialiste.
BBC: A do ta pranojë votuesi në 2009 këtë parti?
Rama: Nuk është pyetje pranimi apo mospranimi i PS, është në pyetje cilësia e fitores tonë e cila është e sigurtë, por ne duhet dhe po punojmë çdo ditë që ta bëjmë një fitore të plotë domethënëse, një fitore që të na jap mundësinë të ndryshojmë Shqipërinë. Për ne pushteti nuk është qëllim dhe as fitorja nuk është qëllim në vetvete, por mjete për të realizuar qëllimet e përbashkëta me të gjithë ata shqiptarë e shqiptare që do të na votojnë me shumicë.
BBC: Këto vite është thënë shpesh që një nga arsyet pse koalicioni i majtë nuk erdhi në pushtet në 2005 ishte përçarja midis tyre. Duket sikur kjo përçarje këto vite është thelluar akoma më shumë, duket që qëndrimet e PS dhe LSI-së janë shumë të kundërta, madje dje në Konventën Kombëtare të LSI-së u përdor dhe fjala "tradhtar" për ju.
Rama: Nuk bëhet fjalë as për përçarje dhe as për krahasime me të shkuarën, bëhet fjalë për vizione të ndryshme, për rrugë të ndryshme, për sjellje të ndryshme. Vizioni ynë, rruga jonë, sjellja jonë janë të gjeneruara, të prodhuara, të stimuluara nga vështrimi drejt të ardhmes, nga nevoja për t'i dhënë njerëzve të ardhme të sigurtë në vendin tonë, nga domosdoshmëria që këtë të ardhme ta ndërtojmë së bashku përtej kufijve të partive, përtej hendeqeve që politika e vjetër e së shkuarës ka krijuar mes shqiptarëve. Dhe nga ana tjetër besoj se çdo krahasim në këtë rast është i mangët sepse jemi në një sistem të ri zgjedhor dhe në këtë sistem të ri çdo forcë politike konkuron me programin, ekipin dhe liderin e vet dhe votuesi do të votojë për një forcë politike qoftë në rastin kur forcat politike janë bashkë, qoftë kur janë të ndara, vota shkon për një forcë politike.
Pra, jemi në kushtet e nje proçesi ndryshimesh të rëndësishme dhe PS është lokomotiva e këtyre ndryshimeve. Ne shohim përpara, ne duam që shqiptaret dhe shqiptarët të jenë pjesë aktive e hapësirës politike. Ne duam që hapësira politike të merret drejtpërdrejtë me problemet e njerëzve dhe me zgjidhjen e tyre. Ne duam që politika e vjetër e sherreve, e konflikteve, sharrjeve, fyerjeve, përbaltjes për interesat e kryetarëve, t'ja lërë vendin një politike të re të dialogut, të dëgjimit reciprok, të lindjes dhe realizimit të ideve të reja në një hapësirë qytetarësh.
BBC: Me sa kuptoj unë nga kjo që ju sapo thatë, ju do të shkoni secila parti e majtë më vete në zgjedhje, apo keni ndonjjë "As nën Mëngë"?
Rama: Të gjitha partitë do të votohen më vete, qofshin të majta apo të djathta, të qënurit në koalicion nuk do të thotë që do të ketë një votë të përbashkët. Votat do të jenë të përveçme dhe qofshin në koalicion apo jo, do të kërkojmë votën për partinë Socialiste, për programin e saj, për një mënyrë të re për ta qeverisur Shqipërinë dhe votuesit të zgjedhin atë parti që u garanton më shumë ndryshimin, më shumë lidhjen mes fjalës dhe veprës, u garanton më shumë të sotmen dhe të nesërmen, për veten dhe fëmijët e tyre.
BBC: Njerëzit do të shkojnë në votime dhe para tyre duan alternativa dhe ju këtë e theksoni në fjalimet tuaja. Megjithatë kryeministri Sali Berisha në parlament e përsëri dhe tha që "opozita nuk sjell asnjë alternativë. Llafe, llafe!! Çfarë alternativash të qarta do të sillni ju në 2009-n?
Rama: Së pari, unë do të doja që mos të merrnim Kryeministrin Berisha si një pikë referimi, pasi kryeministri është aty për tu përgjigjur dhe për të dhënë llogari para shqiptarëve lidhur me kontratën që ka nënshkruar me ta në vitin 2005 dhe jo për të kërkuar llogari nga opozita, e cila është në krye të detyrës. Ne, unë personalisht e kemi braktisur skenën e politikës së vjetër të kacafytjes, të sherreve dhe të nxitjeve mes njerëzve për interesat e ngushta për pushtet të një grushti njerëzish dhe kemi zbritur aty ku njerëzit jetojnë me një dialog të madh, i cili synon pikërisht ndërtimin e alternativës sonë të re dhe të të gjitha alternativave sektoriale në bashkëpunim me njerëzit duke i dëgjuar, duke u njohur jo vetëm të drejtën për të folur, por edhe të drejtën për t'u dëgjuar, për t'ja mbledhur me shumë kujdes jo vetëm shqetësimet, por edhe sugjerimet e tyre dhe duke ndërtuar bashkë me ta atë që do të jetë programi i parë qeverisës i një partie në Shqipëri sepse deri më sot partitë politike kanë përgatitur programe për të marrë votat, por jo programe për të realizuar premtimet. Kanë premtuar gjithçka thjesht për të fituar dhe pastaj kanë harruar apo lënë pa bërë shumë ç'ka thjesht sepse nuk kanë menduar as fare për realizimin e premtimeve kur i kanë bërë ato. Ne do të premtojmë ato që do të bëjmë dhe do bëjmë ato që do premtojmë.
BBC: Ju thatë që keni dëgjuar zërin e njerëzve. Sa kanë ndikuar këto zëra, këto vërejtje, këto sugjerime që kanë bërë njerëzimit në takimet me ju në strategjinë për zgjedhjet që ju po përgatisni?
Rama: Vendimtare.
BBC: Mund të na sillni ndonjë rast konkret kur ato kanë ndryshuar percepsionin tuaj?
Rama: Këtu nuk bëhet fjalë për të ndryshuar percepsionin, këtu bëhet fjalë për të ndërtuar së bashku rrugën e daljes nga situata kritike në sektorët jetikë, për të ndërtuar së bashku rrugëdaljen nga kriza e tmerrshme e sistemit arsimor shqiptar, për të ndërtuar së bashku rrugëdaljen nga kriza e tmerrshme e fshatit dhe e bujqësisë, blegtorisë, në Shqipëri, për të kërkuar rrugëdalje nga kriza e tmerrshme e sistemit shëndetësor në Shqipëri, për të kërkuar së bashku rrugëdaljet nga krizat që kanë kapur të gjithë organizmin e shtetit shqiptar dhe e kanë vështirësuar ndjeshëm marrdhënien mes qytetarit dhe shtetit duke dobësuar në mënyrë kritike rolin e shtetit dhe duke i hapur rrugë një anarkie të pashoqe ku ligjin e bëjnë klientelat, klanet dhe interesat për pushtet të atyre që qeverisin dhe ata që qeverisen nuk i dëgjon kush dhe vetëm pësojnë pasojat e një politike qeverisëse pa vizion, pa program dhe pa asnjë lloj rezultati të qendrueshëm për jetën e njerëzve dhe mirëqënien e tyre. Në kushtet e një papunësie rrënqethëse dhe varfërie që shtrin çdo ditë hijen e saj mbi familjen shqiptare ne kemi në dorë të reagojmë dhe do ta bëjmë këtë duke ndërtuar një politikë të aryes, duke qenë forca e arsyes në politikën shqiptare dhe jo arsyeja e forcës.
BBC: Drejtësia është një nga problemet kyçe. Mund të themi "Thembra e Akilit" në sistemin tonë. Besueshmëria në drejtësinë është ulur mjaft, dhe në uljen e besueshmërisë ndikon edhe politika: kur i intereson politikës ajo mbështetet dhe kur nuk i intereson ajo sulmohet. Çfarë pikërisht do të bëni ju që drejtësia të zerë vendin e vet në sistemin tonë?
Rama: Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që bëjmë sot e gjithë ditën, të kërkojmë rrugë dialogu dhe konsensusi pa harruar se nuk ka dialog dhe konsensus të mundshëm për reformat në drejtësi pa pjesëmarrjen aktive të të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë, pa kontributin e tyre me shqetësimet dhe idetë për mënyrën se si duhet të trasnformohet ky sistem, pa marrë në konsideratë të gjitha sugjerimet e ekspertëve ndërkombëtarë që paguhen nga taksapaguesit evropianë apo amerikanë për të ndihmuar reformën në drejtësi dhe pa një mirëkuptim themelor mes forcave politike që duhet të heqin dorë një herë e mirë nga punët e drejtësisë dhe ta lënë drejtësisë të bëjë drejtësi.
BBC: Transparency Internationl disa muaj më parë e renditi Shqipërinë disa vende më lart, pra më pozitive, në përceptimin ndaj korrupsionit. Pse mendoni ju ndodh kjo?
Zoti Rama: Unë nuk do të mbetesha për asnjë sekondë peng i një raporti apo një raporti tjetër, sepse ndërkohë që Transparency International jep një konkluzion të tillë, FMN-ja vetëm dy muaj më parë dha një konkluzion tjetër duke e konsideruar korrupsionin në Shqipëri të dyfishuar në raport me tre vjet më parë, e ndërkohë le të presim të tjera raporte që do të japin konkluzione të ndryshme. Ajo që është e përbashkët e të gjitha këtyre raporteve është që Shqipëria është po në atë pellg dhe përmirësimi i çfarëdoqofshëm brenda pellgut nuk përbën ndryshim cilësor në raport me korrupsionin.
Dhe nga ana tjetër, ne nuk kemi nevojë të lexojmë raportet dhe të hyjmë në një debat mbi milimetrat e përparimit në rrugën e daljes nga kthetrat e një korrupsioni që është kthyer në sistem edhe një herë nga e para duke ndryshuar klientët por jo thelbin. Por duhet të shohim dhe të dëgjojmë pamjen dhe zhurmën buçitëse të korrupsionit që shpërtheu në Gërdec duke vrarë 26 njerëz, dhe duke shkatërruar qindra familje e mijëra shtëpi e prona, të shikojmë korrupsionin dhe të jemi në gjendje të lexojmë edhe midis rreshtave të gjithë këtyre dokumentave të frikshëm që kanë të bëjnë me këtë sekserin serb të kryeministrit, i cili na tregoi se si mund të bëhet pasuri dhe prokopi në Shqipërinë e Sali Berishës, të shikojmë se si janë realizuar zërat e investimeve në buxhet, apo një sërë aspektesh të tjera të cilat lidhen drejtëpërdrejtë edhe me korrupsionin, e kështu me radhë, për të mos rënë në kthetrat e një debati shterpë mbi përmirësimet milimetrike brenda të njëjtin batak.
BBC: Cili do të ishte hapi juaj i parë për të luftuar korrupsionin nëse vini në pushtet?
Zoti Rama: Unë kam qenë gjithnjë i të njëjtës bindje: korrupsioni nuk luftohet me gjueti shtrigash, korrupsioni nuk luftohet me sherifë që nga njëra anë sulmojnë si të korruptuar këdo që u del përballë, dhe ndërkohë kanë pranë njerëzit, që nën hijen e tyre, përmes korrupsionit, pasurohen në mënyrë marramendëse. Korrupsioni nuk luftohet në ndonjë rrugë tjetër përveçse përmes reformave modernizuese për t'i bërë shërbimet e shtetit të shpejta, të efektshme dhe transparente. Korrupsioni lind dhe zhvillohet aty ku mungon shteti, aty ku shteti nuk arrin t'i përgjigjet qytetarit, apo ta mbrojë të mirën apo pasurinë e përbashkët në mënyrë efektive.
Ne na duhet një shtet, i cili nga njera anë e kryen me shpejtësi, me efektivitet dhe transparencë shërbimin ndaj qytetarit në të gjithë sektorët, dhe nga ana tjetër një shtet që e përfaqëson denjësisht nevojën për të mbrojtur të mirën e përbashkët dhe për të qenë i drejtë në trajtimin e pasurive të përbashkëta të shqiptarëve. Kjo, bëhet me modernizimin e shtetit, me ndërtimin e institucioneve dhe strukturave funksionale me krijimin e një sistemi vetkontrolli dhe kontrolli që nuk ka nevojë për sherif, apo për duar të forta e të pastra, e që më pas del se janë të dobta dhe të ndotura, por ka nevojë vetëm për reforma modernizuese, demokratizuese, integruese.