Landfill-i, banorët e Bajkajt joshen me ujë
Sarandë - Kanë kundërshtuar disa herë ngritjen e landfill-it të Sarandës në fshatin e tyre por më në fund janë bindur. E kanë këmbyer tokën e tyre me ujë, drita dhe rrugë. Ky u vendos sot pas një takimi mes drejtuesve të pushtetit vendor, përfaqësuesve të qeverisë dhe banorëve të fshatit Bajkaj në Bashkinë e Delvinës.
Kryetari i Bashkisë së Sarandës dhe kryetarët e komunave Lukovë, Ksamil, Aliko, etj. janë mbledhur sot me drejtorin e projektit “Plani i Zhvillimit të Jugut”, Jamarbër Malltezi me zv/ministrin e Punëve Publike, Stavri Ristani. Ky takim ishte posaçërsiht për landfill-in e bregdetit jugor ndaj ishin të ftuar edhe banorët e fshatit Bajkaj.
Për problemin e vendgrumbullimit dhe përpunimit të mbeturina (landfill) është diskutuar edhe herë të tjera por nuk është pranuar nga banorët e fshatit Bajkaj, duke pretenduar se pastrohen disa mjedise urbane dhe ndoten me shumicë disa të tjera, që në rastin konkret është fshati i tyre. Këtë radhë përfaqësia e banorëve të fshatit Bajkaj është siguruar me të dhëna konkrete se ngritja e landfill-it nuk do të ndikojë në ndotjen e mjedisit të fshatit. Por edhe iu është premtuar se zona do të përfitojë furnizim me ujë, energji elektrike dhe rrugë të asfaltuara ndaj e ka pranuar ofertën. Do marrin rrugët e asfaltuara, ujë e drita 24-orë dhe do të japin “lejen” për ndërtimin e fushës së mbeturinave në fshatin e tyre.