Zgjedhja e delegatëve, PS respekton 30% e femrave
Të shtunën Partia Socialiste do të zhvillojë votimin sipas parimit “Një anëtar-një votë”, për të zgjedhur delegatët për në strukturën më të lartë vendimmarrëse, Kongresin e partisë së tyre. Për këtë qëllim, duket se faza përgatitore dhe organizative e zgjedhjeve po ecën normalisht dhe gjatë ditës së djeshme selia rozë ka nisur shpërndarjen e bazës materiale për ditën e votimit. Sektori i organizimit në PS së bashku me komisionin e zgjedhjeve kanë filluar të shpërndajnë mes tyre edhe fletët e votimit, të cilat për nga formati do të jenë të ndryshme për çdo njësi. Kjo është në varësi të numrit të delegatëve që i takon të zgjedhë çdo njësi. Bashkitë e mëdha që kanë më shumë anëtarësi do të kenë fletë më të mëdha votimi, pasi edhe numri i delegatëve që do duhet të zgjedhin është më i madh, ndërsa komunat dhe bashkitë e vogla do të kenë fletë më të vogla votimi, pasi normalisht duhet të zgjedhin nga 1 deri në 3 delegatë. Gjithmonë në një fletë votimi janë përfshirë më shumë kandidatë sesa numri i delegatëve që do të zgjidhen dhe kjo për të krijuar mundësi zgjedhjeje. Ndërkohë që do të jenë dy fletë votimi, një për të zgjedhur delegatët meshkuj dhe një për delegatet femra. Kjo, pasi PS në këto zgjedhje do të respektojë kriterin që 30 për qind e delegatëve të jenë femra. Në total pritet të zgjidhen më shumë se 800 delegatë në mënyrë të drejtpërdrejtë, pasi pjesa tjetër do të jenë pjesë e Kongresit për shkak të detyrës. Në total, PS-ja ka më shumë se 1500 delegatë dhe mandatet e tyre do të marrin fuqi në mbledhjen e Kongresit të 5 nëntorit, ku pritet të bëhet një analizë e thellë e veprimtarisë politike të kësaj force, si dhe të zgjidhet Asambleja e re. Ndërkohë që nga deputeti Blendi Klosi është premtuar se do të propozohet dhe një rezolutë që kërkon largimin e Berishës dhe mandaton në të njëjtën kohë Edi Ramën si kandidat për kryeministër të Shqipërisë në momentin që PS-ja do të fitojë zgjedhjet.