E Shtunë, 31 Tetor 2026

KiE, rezolutë për Shqipërinë: Duhet dialog konstruktiv

Kongresi i Autoriteteve Lokale inkurajon se duhen bërë përpjekje për të pranuar të gjitha vendimet konstruktive e për të shkuar përtej pozicioneve partizane

TIRANË Kongresi i Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës miratoi dje me 88 vota pro rezolutën e raportuesit të Partisë Popullore Gjermane, Volkram Gebel, për zgjedhjet lokale në Shqipëri. Përmes rezolutës së miratuar, Kongresi i Këshillit të Europës shprehu keqardhjen për mungesën e dialogut konstruktiv ndërmjet partive dhe përkeqësimin e marrëdhënieve ndërmjet aktorëve politikë, ndërsa në interes të komuniteteve lokale dhe të qeverisjes së mirë, Kongresi inkurajon se duhen bërë përpjekje për të pranuar të gjitha vendimet konstruktive e për të shkuar përtej pozicioneve partizane. Raportuesi për zgjedhjet lokale në Shqipëri, Volkram Gebel tha për mediat pas votimit të rezolutës se ky është një problem i vetë qytetarëve shqiptarë. “Ju duhet të shkoni drejt një dialogu konstruktiv me dhe ndërmjet partive. Nga jashtë, ne mund t'ju japim vetëm rekomandime, por ju mund ta përmirësoni vetë procesin”, - tha Gebel. Në rezolutën e miratuar, Gebel vlerëson se zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri ishin demokratike dhe transparente, por se u shoqëruan nga tensione mes dy koalicioneve kryesore, ndërsa fushata elektorale e cila duhej të ishte përqendruar në çështjet dhe nevojat lokale, u fokusua në akuzat e ndërsjella politike mes kandidatëve. Përmes rezolutës, kongresi i Këshillit të Europës i bën thirrje autoriteteve lokale dhe rajonale shqiptare të promovojnë kushtet për një dialog me të mirë politik mes tyre, me qëllimin për të ndërtuar marrëdhënie konstruktive, ç’ka përbën dhe komponentin kryesor të qeverisjes së mirë. Volkram Gebel theksoi dje se, pas mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, procesi jo vetëm që nuk ka mbaruar, por ai sapo ka nisur. “Ne mund të bëjmë diçka me Kongresin e njësitë tona të tjera, por natyrisht që më shumë duhet nga autoritetet shqiptare dhe forcat politike. Më lejo të nënvizoj se është e rëndësishme, që ata duhet të bisedojnë së bashku dhe të përpiqen që të gjejnë një rrugëdalje, veçanërisht mbi përmirësimin e procesit zgjedhor”, - tha ai. Në raport thuhet se zgjedhjet lokale të 8 majit, jashtë kryeqytetit të Tiranës dhe përveç disa përjashtimeve mund të konsiderohen transparente. Megjithatë, delegacioni vëzhgues vuri re tension të vazhdueshëm mes dy koalicioneve. Kjo, sipas vëzhguesve, ka ndikuar negativisht në procesin zgjedhor dhe në atmosferën politike. Në Tiranë, centralizimi i numërimit, të parapara për të siguruar transparencën, tregoi kufijtë e saj. Sipas raportit, kohëzgjatja e gjatë e procesit të numërimit solli tensione dhe konfrontime në qytet. Tensionet e zbuluara gjatë fushatës zgjedhore janë konfirmuar, sipas rezolutës, edhe gjatë procesit të numërimit të gjatë dhe të kontestuar. Delegacioni beson se fushata zgjedhore reflektoi situatën tejet të tensionuar politike. Sipas raportit, fushata është karakterizuar nga polarizimi i debateve dhe akuzave personale mes kandidatëve. “Fushata, e cila duhej të ishte përqendruar në çështjet bashkiake dhe nevojat lokale, u përqendrua kryesisht në politikën kombëtare dhe/ ose për çështje personale”, thuhet në raport. Rezoluta vecon gjithashtu se autoritetet publike shqiptare bënë përpjekje të konsiderueshme dhe përgatitja e zgjedhjeve është përmirësuar. Dita e votimit në vetvete është konsideruar e kënaqshme nga delegacioni. “Ajo u zhvillua relativisht mirë në një atmosferë të qetë. Megjithatë, disa probleme u zbuluan (vonesa në hapjen dhe mbylljen e votimit, qendrat e votimit të mbipopulluara, paqartësi të shpeshta për procedurat që duhet të ndiqen). Klima negative, e cila ishte vënë re nga ana e delegacionit para dhe pas ditës së zgjedhjeve, zbuloi një mungesë të dialogut konstruktiv politik dhe nuk arriti të kontribuojë në ndërtimin e marrëdhënieve të drejta mes aktorëve politikë, të nevojshme për qeverisje të mirë vendore”,- thuhet në rezolutë. Sipas raportit, të dy koalicionet, duke i dhënë të drejtën vetes për të drejtuar menaxhimin e zgjedhjeve, dështuan në kryerjen e detyrave të tyre. Raporti shpreh keqardhjen se Kodi Zgjedhor lejoi fushë të madhe veprimi për marrjen e vendimeve nga partitë me një shumicë të thjeshtë. Andaj në rezolutë hidhet si mundësi krijimi gradual i pavarësisë për anëtarët e të gjitha komisioneve zgjedhore. “Kongresi mund të mbështesë veprimet për të dy palët për të përmirësuar ushtrimin themelor të zgjedhjeve lokale dhe për të ndihmuar përfaqësuesit e sapozgjedhur në çështjet e demokracisë lokale. Një detyrë e rëndësishme është që të ndihmojë krijimin e një klime të besimit dhe të demokracisë së shëndoshë mes palëve të interesuara. Në këtë drejtim, menjëherë pas zgjedhjeve, Kongresi filloi një nismë për promovimin e dialogut konstruktiv mes përfaqësuesve të sapo zgjedhur lokalë...”, thuhet në rezolutë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›