Zgjedhje komunale të ngarkuara me simbolikë

Zgjedhjet komunale në Srebrenicë më 7 tetor kanë më shumë sesa vetëm rëndësi lokale: Sepse, prej masakrës ndaj më shumë se 8.000 banorëve myslimanë, qyteti i Bosnjës është kthyer prej kohe në simbol të krimeve të luftës.
Para zgjedhjeve komunale në Bosnjë në gjithë vendin ka grindje të ashpra. Partitë po e shfrytëzojnë rastin për të marrë konturet e veta dhe për të prezantuar qëndrimet e tyre të përgjithshme politike. Për këtë shkak politikanët lokalë dhe temat e tyre duken në veprimtari zgjedhore si aksesorë zbukurues. Vëmendje e veçantë i kushtohet këtë herë qytetit të Srebrenicës.
Emri i qytetit të vogël në lindje të Bosnjës, jo larg prej kufirit me Serbinë, ka marrë nam të keq. Në korrik të 1995-s, gjatë luftës në Bosnjë Hercegovinë, trupat e serbëve të Bosnjës nën komandën e gjeneralit Ratko Mladiç patën vrarë këtu mbi 8.000 të rinj dhe burra myslimanë. Kjo ishte masakra më e rëndë në Evropë pas Luftës II Botërore. Gjykatat ndërkombëtare e klasifikuan atë si gjenocid. Që atëherë Srebrenica është simboli i mizorive në Luftën e Bosnjës.
Para luftës në komunë jetonin rreth 37.000 vetë, dy të tretat boshnjakë ose myslimanë, një e treta serbë. Sot Srebrenica është një komunë me shumicë serbe. Komisioni Qendror Zgjedhor në Bosnjë Hercegovinë (CIK) ka vendosur që tani të vlejnë të njëjtat kushte si në pjesën tjetër të vendit edhe në Srebrenicë.