E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhje model në Durrës, asnjë incident në qark

DURRES- Qarku i Durrësit ka treguar maturi, pjekuri dhe zgjuarsi, duke zhvilluar një proces votimesh të pakontestuar nga asnjë forcë politike në zgjedhjet e 23 qershorit, prej të cilit dalin 13 deputetë. Pjesëmarrja në zgjedhje në nivel qarku përllogaritet në rreth 46%. Durrësi ka shprehur interes më të madh se në zgjedhjet e kaluara të 2009-ës, pasi janë plot 144 mijë zgjedhës që kanë votuar në të gjithë qarkun. Krahasuar me vitin 2009, numri i pjesëmarrësve në votime ka qenë më i lartë, pasi nga 132,670 votues që morën pjesë katër vite më parë në zgjedhjet parlamentare, këtë radhë kjo shifër ka shkuar mbi 144 mijë, nga 313.058 zgjedhës. Mësohet se 74 200 persona kanë votuar në Bashkinë e Durrësit, nga 158 mijë zgjedhës në këtë njësi vendore. Procesi i votimit u hap në orën 07:00 në 442 qendra votimi, ndërsa në një qendër votimi në Thumanë të rrethit të Krujës votimi nisi një orë me vonesë, për shkak se komisioni i qendrës së votimit kërkoi të ndërrohej kryetarja e komisionit të votimit, e cila ishte mbesa e kandidatit për deputet të PD-së, Vullnet Topalli. Në një qendër tjetër në Thumanë, procesi nisi gjithashtu me një orë vonesë. 

Kjo, për shkak se sekretarit të qendrës së votimit i kishte vdekur nëna, dhe u bë zëvendësimi i tij. Përgjatë gjithë ditës së djeshme, në të gjitha njësitë vendore të qarkut të Durrësit procesi i votimit vijoi normalisht. Ndryshe nga zgjedhjet e viteve të tjera, në shkallë qarku nuk u shënua asnjë incident mes përfaqësuesve të forcave politike, pavarësisht "luftës" së fortë të tyre për të dalë fitues në zgjedhjet parlamentare. Të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur në orën 19:00. Megjithatë pritet të vijojë procesi i numërimit gjatë orëve të natës për të kuptuar ndarjen e 13 mandateve në qarkun e Durrësit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka votuar gjatë paradites në një nga qendrat e votimit të lagjes nr.11 të këtij qyteti. Kryebashkiaku Dako u ka bërë thirrje të gjithëve të votojnë qetësisht, në mënyrë që procesi të vijojë normalisht. Ndërkohë, ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Durrësit të marrin pjesë masivisht në votime, në këtë proces shumë të rëndësishëm zgjedhor ku vendoset fati i vendit. Në fund të mbylljes së procesit zgjedhor, Dako tha se nuk u vërejt asnjë problematikë për t'u shënuar. Në të njëjtën linjë ishte edhe kreu i listës së PSsë, Blendi Klosi, i cili deklaroi se në rang qarku nuk është vërejtur asnjë kontestim për zgjedhjet. Procesi i votimit mori nota maksimale edhe nga kreu i PDsë i Durrësit, Igli Cara dhe kryesuesi i listës së PD-së, Eduart Halimi, i cili nënvizoi se këto ishin zgjedhjet më të mira, të zhvilluara me qytetari në qarkun e Durrësit. Asnjë prej partive politike nuk e ka komentuar rezultatin final dhe nuk ka shprehur fitoren për asnjë krah. Kryesuesi i listës së LSI-së, Lefter Koka deklaroi se Durrësi ka votuar, ka shprehur verdiktin e tij, dhe se LSI-ja është e sigurt se do të fitojë më shumë se një mandat.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›