E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet 2009, audit për financimet e partive

Nga Tedi Blushi
Kodi Elektoral ashpërson sanksionet dhe forcon kontrollin mbi financimet e fushatave elektorale. Gjobë deri në 2 milionë lekë partive që fshehin sponsorizuesin. 

TIRANE- Ashpërsohen sanksionet dhe forcohet kontrolli mbi financimet e fushatave elektorale. Nga ndjekja penale deri gjoba që kapin vlerën e 2 milionë lekëve, janë dënimet që parashikon Kodi i ri Zgjedhor jo vetëm për sponsorizuesit që nuk deklarojnë vlerën reale të donacioneve të dhuruara, por edhe për partitë e financierët e tyre që fshehin shumat e përfituara.
Auditi
Referuar nenit 91 të Kodit Elektoral, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore nga secila parti politike. Secili subjekt është i detyruar që të vërë në dispozicion të ekspertit kontabël të emëruar nga KQZ-ja, çdo informacion, dokument apo të dhëna që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimin e fushatës zgjedhore. Mosbashkëpunimi me auditin e KQZ nga ana e partisë politike, në bazë të pikës 2 të nenit 173 të Kodit, dënohet me gjobë nga 1 deri në 2 mln lekë. Ndërkohë që refuzimi për të bërë transparente burimet e financimit të fushatës, dënohet me gjobë nga 2 mln lekë deri në pezullimin për 5 vjet të financimit publik për partinë politike. Nëse shkeljet e konstatuara nuk do të përbëjnë kundravajtje administrative, atëherë Kodi parashikon deri dhe ndjekje penale për donatorët apo financierët e partive politike.
Shuma
Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor në bazë të nenit 90 të Kodit Elektoral, nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende apo shërbime. Por jo çdokush ka të drejtë të sponsorizojë një parti politike. I ndaluar për ta bërë këtë në bazë të Kodit Elektoral, është çdo person juridik apo çdo aksioner që ka përfituar fonde apo kontrata publike si dhe koncesione në 2 vitet e fundit me vlerë mbi 10 mln lekë. Sponsorizimi ndalohet dhe për ata që ushtrojnë aktivitet në fushën e medias, ata që janë partnerë me fonde publike në projekte të ndryshme apo që kanë detyrime monetare ndaj buxhetit të shtetit ose ndaj çdo institucioni publik. Për çdo donacion të përfituar, çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e sanksionuara si më sipër. Në rast se një dhurues shkel një prej sanksioneve të mësipërme, atëherë ai dënohet nga auditi i KQZ-së me gjobë në vlerë të barabartë me 30 për qind të shumës së dhuruar.
Shpenzimet
Kodi Elektoral sanksionon sakaq që shpenzimi total që mund të kryejë një parti politike, përfshirë dhe kandidatët e tyre, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të kalojë 10-fishin e shumës më të madhe që një subjekt elektoral ka marrë nga fondet publike. Por shkelja e kufirit maksimal të shpenzimeve nga subjekti zgjedhor ndëshkohet me një gjobë të barabartë me vlerën 10 për qind të vlerës mbi kufirin e lejuar.
Financieri
Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë, duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme, të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Përgjegjësi i financës së subjektit zgjedhor, jo më vonë se tri ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore deklaron numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim, që njëkohësisht publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së. Për shkeljen e ndonjë prej këtyre dispozitave, përgjegjësi i financës së partisë politike ndëshkohet me gjobë nga 50 deri në 100 mijë lekë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›