E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, 450 vëzhgues do të japin rezultatet direkt

 

Një telefon i shkencës së fundit do të bëjë dhënien e rezultatit të zgjedhjeve, pas përfundimit të çdo qendre votimi. Dy shoqata KRIIK Albania dhe ECA, me financim të USAID, kanë shpallur projektin e tyre për të shpallur direkt rezultatet e votave nga 66 Zonat e Administrimit të Votave pas përfundimi së numërimi të çdo vote. Një telefon i posaçëm, që i jep mundësinë që të llogarisë votat e partive për çdo QV, do t’i jepet 450 vëzhguesve të cilët do të kenë të drejtën të vëzhgojnë dhe të transmetojnë direkt të dhënat. Sipas përfaqësuesit të KRIIK ALbania, Premto Goga, “rezultatet që mblidhen për çdo VNV do të përcillen në kohë reale, duke përdorur një teknologji moderne të hedhjes dhe transmetimit të të dhënave (software i posaçëm i instaluar në transmetues që përdorin sistemin GPRS) drejt një Qendre të Përpunimit të Informacionit, e vendosur në Tiranë, në Hotel Tirana “International”, e cila do të jetë operative gjatë gjithë procesit të numërimit”. Rezultatet do të procedohen në mënyrë automatike përmes një programi kompjuterik të posaçëm dhe do të bëhen publike po në kohë reale në faqet e internetit www.eca.al dhe www.kriik-alb.org. Monitorë të mëdhenj do të instalohen në Hotel “Tirana”, duke bërë të mundur që mediat vizive të japin direkt live rezultat që do dalin. Sipas Gogës, projekti ka si qëllim rritjen e transparencës në procesin e numërimit të votave, informimin e vazhdueshëm të publikut dhe garantimin e një besimi më të madh të tij në këtë proces. Për realizimin e këtij projekti, ECA dhe KRIIK kanë rekrutuar më shumë se 450 vëzhgues, të cilët do të akreditohen nga KQZ, posaçërisht për vëzhgimin e procesit të numërimit. Këta vëzhgues do të vendosen në secilin prej 66 Vendeve të Numërimit të Votave, duke mbuluar kështu të gjithë territorin e vendit. Pranë secilit Vend të Numërimit të Votave do të pozicionohen 6 operatorë dhe një koordinator. Operatorët do të punojnë në çift 24 orë në 24, duke mundësuar kështu ndjekjen e plotë të gjithë procesit të numërimit të votave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›