E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, Berisha: Njoh humbjen, përgjegjësia vetëm e imja. Dorëhiqem nga funksionet

TIRANE - Kryeministri i vendit Sali Berisha thyen heshtjen pas daljes së rezultateve të zgjedhjeve të 23 qershorit, pranon humbjen e PD-së dhe jep dorëheqjen nga drejtimi i partisë të cilën e themeloi vetë ai. Fjalimi u prit me lot në sy nga simpatizantë që dëgjonin me altoparlant jashtë selisë së PD, zërin e kryetarit që drejtoi partinë prej dy dekadash.

Në një konferencë për shtyp nga selia blu, Berisha ka mbajtur një fjalim në letër si rrallë ndonjehere. Duke shpjeguar se populli nuk e votoi që të udhëhiqte dhe 4 vite të tjera, kryeministri në ikje deklaroi se njeh verdiktin e popullit në zgjedhjet parlamentare të 2013.

“Në karrierën time politike më shumë se dy dekada, unë në çdo pozicion që kam patur kam ndjerë vetën si shërbëtor i juaji dhe i vendit tim. Dhe e kam konsideruar këtë privilegjin më të madh. Kam bërë gjithçka të përmbush me përkushtim detyrimet, duke qenë i vendosur, se do të largohesha nga postet e mia, nëse arsyet shëndetësore nuk do më lejonin, kjo nuk ndodhi, energjitë e mia janë po ata që kam patur. Veç kësaj unë gjithnjë kam qenë i vendosur, i bindur, t’i bindem verdiktit të sovranit, i cili foli qartë në këto zgjedhjve, Unë besoj se ata nuk gabojnë. Unë u përkas atyre politikanëve që sovrani zgjedh dhe vendos”, deklaroi me vendosmëri Berisha. 

Fitorja nuk trokiti në PD-së, sepse sic tha Berisha, qytetarët votuan programin kundërshtar, një program që sic cilësoi ai, nuk mund të realizohet dot. “Qytetarët tanë votuan me shumicë projektin e kundërshtarit tonë për premtime që ne nuk mund t’i bënim si shëndetësia falas dhe heqja e taksave, se këto premtime ne nuk mund t’i bënim se në filozofinë tonë bien ndesh me lirinë ekonomike barazizë”.

Në këtë pikë, Berisha i uroi kundërshtarit politik, punë të mbarë. “Duke njohur rezultatin i uroj atij punë të mbarë”.

Por, humbja ka një përgjegjës dhe sipas Berishës, përgjegjësia bie mbi vetë atë. Berisha deklaroi se do të japë dorëheqjen nga të gjitha funksionet.“Ne humbëm këto zgjedhje dhe më besoni mua se kjo humbje shkon përgjegjësia ime bie mbi një njeri të vetëm, mbi Sali Berishën. Jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e PD”. 

Berisha ftoi militantët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike që të ndihen krenarë, ndërsa u kërkoi atyre që të mos e marrin këtë si fjalim lamtumire. I prekur kryeministri ka falënderuar me një fjalim gjithë përkrahësit për mbështetësit teksa u shpreh i keqardhur që nuk mundi ti komunikonte lajmin që ata prisnin.

“Sot jam para jush për një mesazh por dua të theksoj një mesazh të vonuar për fatin e vetëm se kam dashur të respektoj punën me vetëmohim te madh te komisionarëve tanë në numërimin e votave, proces që po shkon drejt fundit. Shpreh mirënjohjen e pakufijshme ndaj qindra e mijëra qytetarë shqiptarë që më shoqëruan mua, i falënderoj për mikpritjen me entuziaste që kam provuar ndodhje, ne shi dhe diell, në mëngjes dhe darkë, ne shkëmbyem mendime, ndoqën me vëmendje alternativen tone dhe me dhuruan mua fushatën me të pasur dhe ndofta më të bukurën dhe masive, jam përpjekur te bej me të mirën, kam punuar me përkushtim dhe entuziazëm edhe me te madh. Por, unë sot dua te përulem para militantëve, anëtarëve të thjeshte të PD për sakrificën, mundin dhe djersën e tyre në këtë fushatë dhe të gjitha fushatat. Shfrytëzoj rastin te falënderoj kandidat për deputet dhe shtabet e tyre elektorale, komisionerët tanë për përkushtimin në zgjedhje. Mirënjohje qytetarëve shqiptare që votuan kandidatet e PD, dhe cdo shqiptar dhe shqiptar që morën pjesë në zgjedhje. Të dashur demokratë dhe qytetar që keni mbështetur PD, unë e di që ndiqni me trishtim fjalën time pasi prisnit një fjalim tjetër nga unë”, u shpreh i emocionuar Berisha. 

Berisha ka falënderuar bashkëpunëtorët e tij që e shoqëruan përgjatë 22 viteve teksa shprehu mirënjohjen e pakufishme për miqtë ndërkombëtar. Kreu i qeverisë theksoi se pavarësisht kërkesës së qindra simpatizantëve ai nuk mund të tërhiqej nga vendimi i marrë.

“Kryeministri paralajmëroi se do të qëndrojë në krye të qeverisë në përputhje me Kushtetutën e vendit deri në muajin shtator, teksa nënvizoi se në bazë të statusit të partisë, do e udhëheqë atë deri në zgjedhjen e liderit të ri të demokratëve.

“Do e mbyll mirënjohje të përhershme për Lilin dhe familjen time. Në përputhje me Kushtetutën e vendit që në muajin shtator do të vijoj të punoj me përkushtim të madh, dhe do të qëndroj në përputhje me statusin e PD deri në zgjedhjen e lidershipit të ri dhe do e mbështesim drejt fitores së betejës që na pret. Zoti e bekoftë PD dhe shqiptarët kudo që janë”, përfundoi fjalën e tij Berisha. 

SIMPATIZANTËT ME LOT NË SY: O SALI, O HERO TI NGA NE MOS U LARGO
Qindra simpatizantë të cilët ndoqën fjalimin e kryeministrit Berisha u përlotën nga fjala e tij teksa brohorisnin: Berisha Berisha ti je zemra jonë... Berisha Berisha ti je zemra jonë” dhe lëshonin lutje si “O sali, o hero ti nga ne mos u largo”.

DEPUTETËT E PD-SË NË RRETHE MBËRRIJNË NË SELINË BLU
Ora 18:00 Deputetët e PD-së të shpërndarë në rrethe mbërrijnë në selinë blu. Teksa pritet që KQZ të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, në ambientet e jashtme të selisë blu ndodhet të rinjtë të forumit rinor demokratik.

Teksa një nga një mbërrijnë dhe anëtarët e Partisë Demokratike, të rinjtë mes duartrokitjeve brohorasin ‘Rroftë Sali Berisha...Rroftë Sali Berisha...Rroftë Sali Berisha’.

Ndërkohë, ende nuk ka pasur një komunikim nga Partia Demokratike në lidhje me zgjedhjet, teksa koalicioni i majtë pret që kryeministri Berisha të dalë dhe të pranojë humbjen.

Në selinë e PD-së, kanë mbërritur kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë Lulzim Basha dhe shumë emra të tjerë të PD-së, si ministri Arben Imami, Gerti Bogdani etj.

Kjo do jetë dalja e parë publike e kryeministrit pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. 

BERISHA RINIS PUNËN, PASDITE KONFERENCË PËR SHTYP, TË ENJTEN MBLEDH QEVERINË
Heshtja e liderit të PD-së pas zgjedhjeve ka vazhduar edhe gjatë paradites së sotme, ndërkohë që ka të dhëna se Berisha pritet të dalë gjatë orëve të pasdites në një konferencë për shtyp nga selia e PD-së. 

Ndërkohë eskorta e Berishës është parë sot rreth orës 11:30 në rrugët e kryeqytetit, pasi kryeministri zhvilloi një vizitë në Amabsadën Hungareze, për të shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit hungarez Gyula Horn.

Burime nga kryeministria bënë të ditur se të enjten, në orën 11:00, kryeministri Berisha do të mbledhë qeverinë.

Edhe mbrëmjen e djeshme u fol se në selinë e PD-së do të mbërrinte lideri Sali Berisha, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Berisha axhendën e ditës dje e nisi me një takim në Presidencë me kreun e shtetit, Bujar Nishani dhe fill pas tij edhe kryebashkiaku Lulzim Basha mbërriti në zyrën e Presidentit. Ende nuk dihet saktësisht se çfarë është biseduar mes tyre, ndërkohë që takimet janë zhvilluar veçmas me presidentin Bujar Nishani.

Por pavarësisht enigmave, demokratët presin vajtjen e Berishës në seli për t’i “gjallëruar” qoftë dhe sadopak nga befasia e humbjes së 23 qershorit. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, prej datës 23 qershor nuk ka qenë në selinë e PD-së. Pas daljes për shtyp pak para përfundimit të votimit ditën e zgjedhjeve, Berisha u shpreh se do të njohë çdo rezultat që ka vendosur sovrani, populli.

Pas 8 vitesh në pushtet, demokratët kalojnë në opozitë, duke pësuar këtë herë një zhgënjim të madh, për shkak të diferencës së madhe të rezultateve në mbarë vendin. 

(d.b/e.m/er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera FJALA E PLOTË SHBA: Falënderojmë Kryeministrin në largim Sali Berisha, tani certifikoni zgjedhjet Dorëheqja e Berishës tërheq vëmendjen e Mediave të huaja Pas Berishës e Bashës, Nishani pret edhe ambasadorin Arvizu Berisha shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit hungarez Topalli thyen heshtjen e selisë blu, falenderon votuesit e PD në FB Rama mesazh popullit: Të nisin “Rilindjen”. Do jem kryeministri juaj Edi Rama: Faleminderit të gjithëve!-FOTO

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›