Zgjedhjet, Dade: Të hapen kutitë e fletëve të votimit

Duke iu referuar rezolutës së Internacionales Socialiste, PS kërkon që Berisha të bëjë transparencën e plotë të zgjedhjeve
TIRANË-Në një kohë kur mazhoranca dhe opozita nuk po arrijnë në një marrëveshje midis tyre për të zgjidhur krizën politike, Internacionalja Socialiste mbështet kauzën e opozitës për transparencën e plotë të zgjedhjeve të kaluara.
Pas mbledhjes së dy ditëve më parë të Internacionales Socialiste për Evropën Juglindore, Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade, në një konferencë për shtyp, rikonfirmoi dje edhe një herë qëndrimin e Internacionales së majtë, duke theksuar se Internacionalja e specifikoi qartë, se shumica në pushtet duhet të pranojë hapjen e kutive të votimit përmes ngritjes sa më parë të komisionit hetimor parlamentar, që do të merret posaçërisht me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.
"Gjithashtu Internacionalja Socialiste i bëri thirrje qeverisë dhe mazhorancës qeverisëse, që të bëjë transparencën e plotë të zgjedhjeve, përfshirë materialet zgjedhore, dhe hapjen e kutive të votave, përmes hetimit parlamentar pa vonesë dhe tani është momenti",- tha dje Dade.
Ajo nënvizoi se Internacionalja Socialiste e ka vlerësuar aksionin politik të opozitës dhe vullnetin e saj për të zgjidhur krizën politike përmes transparencës së zgjedhjeve përgjatë gjithë këtyre muajve. "Internacionalja Socialiste mbështeti Partinë Socialiste në të gjitha hapat e saj të betejës politike, për rivendosjen e demokracisë në vend.
Ajo vlerësoi me nota maksimale, pjekurinë, kurajën, në të gjitha hapat që Partia Socialiste ka marrë, në mënyrë të veçantë në kompromiset e ofruara dhe vullnetin politik të treguar për zgjidhjen e krizës",- u shpreh ajo.
Sipas Dades, ky qëndrim i Internacionales Socialiste reflekton atë pozicion të mbajtur nga ky organizëm përmes deklaratës së këshillit të saj në Barcelonë, shtatorin e vitit 2009, ku theksonte se ishte e domosdoshme që në Shqipëri të rivendoset demokracia.
Deputetja e "selisë rozë" vuri në dukje gjithashtu se përveç mbështetjes që i ka dhënë opozitës, Internacionalja është edhe në përputhje me qëndrimin e Bashkimit Evropian, i cili gjatë këtyre muajve krize politike ka kërkuar zgjidhjen e saj, pasi në të kundërt pasoja do të rëndojnë në procesin e integrimit të vendit në BE. "Internacionalja Socialiste është në krah të Bashkimit Europian, lidhur me të gjitha përpjekjet që BE-ja
ka bërë së fundmi, duke ju kërkuar palëve në Shqipëri të zgjidhin krizën, e cila ka impaktin e vet, jo vetëm në të gjitha institucionet demokratike të vendit dhe funksionimin e tyre. Por gjithashtu edhe në vonesat që mund t'i krijohen Shqipërisë, në axhendën evropiane të integrimit në BE",- nënvizoi Dade. Ajo shtoi se në kuadër të transparencës së zgjedhjeve të kaluara, Internacionalja Socialiste kërkon që në Shqipëri të forcohen institucionet legjitime, në mënyrë që të jenë të afta për të përballuar sfidat që ka vendi në rrugën drejt BE-së.