Berisha: Opozita duhet ndërtuar, ajo ka pushtetin moral

Gjatë takimit të zhvilluar me një grup të rinjsh, Berisha ka deklaruar se Shqipëria është një vend që ka vuajtur për opozitë.
TIRANË-Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga ana e opozitës dhe ultimatumit të ndërkombëtarëve për të zgjidhur krizën politike, mazhoranca qeverisëse nuk po lëshon pe nga qëndrimi i saj mbi transparencën e zgjedhjeve.
Kryeministri Sali Berisha gjatë bisedës me një grup të rinjsh edhe pse e ka sjellë në vëmendje rolin e opozitës në pluralitetin politik, ai nuk ka dhënë asnjë qëndrimin konkret përsa i përket kërkesave të saj, të cilat së fundmi kanë marrë edhe mbështetjen e Internacionales Socialiste.
Berisha e ka cilësuar opozitën si pushteti moral i vendit dhe se ajo ka nevojë të strukturohet e ndërtohet politikisht, por nuk ka specifikuar faktin nëse mazhoranca do t'i nënshtrohet me të dialogut politik për të zgjidhur situatën politike. "Shqipëria është një vend që ka vuajtur për opozitë. Gjenerata ime, më shumë se për çdo gjë tjetër, ka vuajtur për opozitë.
Dhe do të them një gjë: Ne në vitet që qëndruam në opozitë, kemi qëndruar shumë të motivuar, me bindjen se po ndërtojmë opozitën. Opozita duhet ndërtuar. Nuk ka demokraci dhe nuk ka zhvillim pa pluralitetin.
Në këtë aspekt, opozita është pushteti moral i vendit",- tha dje Berisha. Përsa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, kreu i qeverisë u bëri të ditur të rinjve se integrimi në familjen evropiane duhet të realizohet në bazë të meritës.
Ky proces, sipas Berishës duhet të vijë si rezultat i reformave, ndërkohë që Shqipëria nuk ka zgjidhur krizën politike për të përmbushur kriterin politik si elementi kryesor për marrjen e statusit kandidat për integrimin në Bashkimin Evropian.
Duke i cilësuar si ngjarje historike anëtarësimin në NATO dhe procesin e deritanishëm të liberalizimit të vizave, Berisha theksoi se proceset integruese nuk arrihen në një ditë, por kërkojnë dekada."Unë në të gjithë qëndrimin tim në këtë proces jam shprehur se ky proces duhet të bazohet në meritën. Nuk duhet që të pretendojmë të na jepen gjëra që nuk i meritojmë.
Kjo, sepse interesi ynë jetik është që ne t'i realizojmë, të bëjmë reforma, të ndryshojmë vendin. Dhe e vërteta është që anëtarësimi në NATO dhe heqja e vizave janë dy rezultatet më historike e më të mëdha të reformave dhe ndryshimeve, që janë kryer në këtë vend",- u shpreh ai.