E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Kosova përgatitet për balotazhin në 20 komuna

UPDATE- Në pritje të shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, forcat kryesore politike në Kosovë kanë filluar të mendojnë për koalicionet që duhen bërë para hyrjes në raundin e dytë të votimeve për kryetarë të komunave.

Balotazhi do të zhvillohet në 20 komuna të Kosovës më 13 dhjetor.

Në shumicën e tyre në garë do të jenë kandidatë të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Hajredin Kuçi thotë se si partia më e madhe në vend, PDK është e hapur për të gjithë dhe se çdo marrëveshje do të bëhet në mënyrë transparente.

"Ne nuk jemi parti anarkiste që t'ia lejojmë kujtdo të bëjë çka do, ne jemi një parti 'e disiplinuar' dhe me një strukturë të qëndrueshme.

"Secili do ta ketë vlerën e vet dhe mbështetja jonë do ta ketë edhe cilësinë, por do të thoja edhe organizimin në kuptimin e pjesëmarrjes edhe në qeverisje lokale por edhe të kualitetit të kandidatëve që paraqiten atje", tha z.Kuçi.

Partia e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk është deklaruar ndërkaq nëse do të bëjë koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për ta mbështetur njëra tjetrën në garë kundër Partisë Demokratike.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri nuk ka dhënë një përgjigje të qartë për aleancat e mundshme me subjektet tjera.

"LDK-ja do të hyjë në koalicion me qytetarët e Kosovës. Formula e koalicionit me qytetarët neve për dy vjet na ka konfirmuar rritje jashtëzakonisht të madhe në Prishtinë."

Natyrisht që të gjitha ato grupe politike që kanë dalë të tretat apo të katërtat nëse i bashkohen koalicionit me qytetarë, ne i mirëpresim dhe jemi të interesuar të bashkëqeverisim me njerëz në komuna, jo me të tjerët, por realisht ne ju kemi bërë ofertë të gjithëve që janë të gatshëm të hyjnë me LDK-në", tha z.Haziri.

Por nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila në këto zgjedhje dyfishoi elektoratin e saj ka thënë se koalicioni me LDK-në është i mundshëm.

Blerim Shala është nënkryetar i AAK-së.

"Edhe interesi si po duket në bazë të rezultateve po tregon se kemi nevojë edhe ne për LDK-në, edhe LDK për ne, por para se gjithash ideja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është që degët tona aty ku kanë hy në balotazh, apo aty ku janë si të tretat, duhet të na bëjnë një analizë interne që të tregojnë se cili është interesi i AAK-së në atë komunë", tha z.Shala.

Ndërkohë zgjedhjet lokale duket se kanë lëkundur edhe raportet mes partnerëve të koalicionit qeverisës në nivelin qëndror, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kanë qenë zyrtarë të lartë të LDK-së që kanë akuzuar gjatë fushatës qeverinë e kryeministrit Thaçi se ka pushuar së funksionuari.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri vazhdon ta mbajë të njëjtin qëndrim që e kishte shprehur në tubimet elektorale.

"Unë po e përsëris atë që kam thënë koalicioni 'Guns 'n Roses' në nivel qëndror ka dalë i tillë, që në shqip ka kuptimin koalicioni i paqes, por këtë peshë të paqes ia jep LDK-ja mbi të gjitha", deklaroi ai.

Zoti Haziri tha se LDK-ja ka përdorur fjalorin politik për të treguar të vërtetën për punën e qeverisë, pjesë e së cilës është edhe ajo.

"Nëse kryeministri për 15 ditë nuk ka qëndruar në qeveri, por ka vrapuar fshat më fshat për të mbledhur vota për partinë e tij, ne kemi thënë se ai nuk është duke punuar dhe e kemi çuar në zyrë për të punuar në ditën e 16-të. Dhe, u tregua efekti i daljes së tij fshat më fshat dhe premtimet e tij u dëshmuan tash me rezultat. Kështu që ai e ka dëmtuar faktorin politik që nuk është në PDK me sjelljen e tij dhe është çështje që, kur të vijë koha, ne do ta vlerësojmë."

"Vlerësimet tona do t'i bëjmë pas raundit të dytë", tha zoti Haziri.

Mirëpo nënkryetari i Partisë Demokratike, njëherësh zëvendëskryeministër Hajredin Kuçi i ka vlerësuar kritikat e Lidhjes Demokratike si përpjekje për ngritjen e saj në skenën politike dhe pasojë e problemeve të brendshme në parti.

Ai tha se koalicioni qeverisës aktualisht nuk rrezikohet, por në çfarëdo situate sipas tij, PDK-ja si partia më e madhe do të udhëheqë ekzekutivin.

"Duket që është bërë modë kjo që të bëhet pjesë e fushatës elektorale. Ata kanë vuajtur shumë nga kritikat. Duket se dikush u ka thënë se jeni nën margjinat e PDK-së dhe tash duan të dëshmojnë identitet të ri. I kuptojmë ne. Fushata elektorale dhe fjalori i fushatës nuk ndikojnë në koalicionin qeverisës, por ndikojnë në marrëveshjen politike dhe qëllimet që i kemi si koalicion.

Nëse është për fushatë, i kuptojmë si fushatë. Diçka më serioze nuk kemi vërejtur, por, në cilindo rast, PDK-ja është konfirmuar si subjekti më i madh politik në Kosovë, më i konsoliduar dhe më stabil", theksoi z.Kuçi.

Nga ana tjetër, analisti Halil Matoshi parashikon se zgjedhjet lokale dhe gjuha e përdorur nga forcat kryesore politike gjatë fushatës, do ta çojnë Kosovën në zgjedhje ta parakohshme.

Sipas tij pakënaqësitë me qeverinë të shprehura gjatë fushatës nga kandidati i LDK-së për Prishtinën, Isa Mustafa kanë mobilizuar elektoratin e kësaj partie, gjë që ka ndikuar në fitoren bindëse të tij në kryeqytet.

Analisti Matoshi thotë se do të ishte e palogjikshme që zyrtarë të Lidhjes Demokratike që e kanë quajtur qeverinë "autoritare dhe jodemokratike" të vazhdojnë të jenë pjesë e saj.

"Unë mendoj se tensionet tek pas balotazhit do të rriten mes koalicionit dhe kjo sigurisht do ta çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme".

"Këta njerëz të LDK-së që e kritikojnë qeverinë, duhet të rishqyrtojnë pozicionet e veta sepse nëse vazhdojnë të mbesin në këtë qeveri, objektivisht do ta humbin sërish elektoratin deri në thërrmimin e LDK-së", tha analisti Matoshi.

Sipas rezultateve paraprake për asambletë komunale të publikuara nga KQZ-ja, Partia Demokratike ka ruajtur pothuajse të njejtën përqindje si në zgjedhjet e kaluara, Lidhja Demokratike ka shënuar një ngritje të lehtë prej 3 për qind, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dyfishuar përqindjen e saj, duke lënë pas Aleancën Kosova e Re dhe Lidhjen Demokratike të Dardanisë. (BBC)

****

SHBA urojnë Kosovën: Zgjedhje të suksesshme

UPDATE- Shtetet e Bashkuara kanë lavdëruar qeverinë e Kosovës për menaxhimin e zgjedhjeve të para nga shpallja e pavarësisë duke i cilësuar ato "gurthemel të rëndësishme" në rrugën e demokracisë.

"Shtetet e Bashkuara përgëzojnë qeverinë e Kosovës për administrimin e suksesshëm të zgjedhjeve të para nga pavarësia", ka thënë zëdhënësi i Stejt Departamentit Ian Kelly.

"Urojmë qytetarët nga radhët e të gjitha komuniteteve etnike, duke përfshirë edhe komunat e reja me shumicë serbe, për pjesëmarrjen e tyre të konsiderueshme në këto votime", ka thënë Kelly.

"Këto zgjedhje paraqesin gurthemel të rëndësishëm për Kosovën në ndërtimin e shoqërisë multietnike dhe demokratike për të gjithë qytetarët e saj", ka pohuar zëdhënësi i Stejt Departamentit Ian Kelly.



KQZ shpall rezultatin paraprak të zgjedhjeve. Prishtinën e fiton LDK

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rezultatet preliminare për zgjedhjet lokale. Prishtinën e fiton LDK, Ferizajn-PDK, Gjakovën -AAK, Prizreni, Peja, Mitrovica dhe Gjilani shkojnë në balotazh.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës në një konferencën për shtyp publikoi në orët e mbrëmjes rezultatin preliminar të zgjedhjeve lokale.

Nga qendrat e mëdha, Prishtinën e fiton pa balotazh Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës fiton në Ferizaj, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fiton në Gjakovë. Në katër qendrat tjera të mëdha, në Prizren, Pejë, Mitrovicë e Gjilan shkohet në balotazh.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka theksuar se rezultatet janë preliminare dhe mund të pësojnë ndryshime, meqë nuk janë llogaritur votat me kusht.

Kryeqytetin, Prishtinën, sipas të dhënave të KQZ-së, e ka fituar pa balotazh kandidati i LDK-së, Isa Mustafa.

Ndërsa, Ferizaj është fituar nga kandidati i PDK-së, Bajrush Xhemajli.

Kurse, Gjakovën e ka fituar kandidati i AAK-së, Pal Lekaj, i pasuar nga kandidatja e AKR-LDD-së Mimoza Kusari-Lila.

PDK dhe LDK do të shkojnë në balotazh në Prizren dhe në Gjilan.

Ndërsa, në Mitrovicë do të hyjnë në balotazh PDK me AKR-në.

Kurse, në Pejë në balotazh shkon AAK me LDD-në.

Ndryshe, subjektet politike që i kanë fituar komunat pa balotazh janë si vijojnë:

PDK fiton pa balotazh edhe në Gllogovc, Skënderaj, Shtime dhe Zubin-Potok.

Ndërsa, LDK, pa balotazh, përveç kryeqytetit, fiton edhe në Fushë-Kosovë dhe në Podujevë.

Kandidatët e AAK-së, përveç Gjakovës kanë fituar pa balotazh edhe në Deçan, Leposaviq dhe Zveçan.

Ndërsa, Partia Demokratike Turke e Kosovës ka fituar që në raundin e parë në Mamushë.

Përfaqësuesit serbë kanë fituar në raundin e parë në tri komunat e reja në Kllokot, Graçanicë dhe në Ranillugë.

Zyrtarët Komisioni Qendror Zgjedhor nuk kanë bërë të ditur se kur do të shpallen rezultatet përfundimtare, por kanë thënë se kjo do të bëhet pas numërimit të votave me kusht.

***********


Kosova kalon testin e demokracisë


Kosova ka kaluar me sukses testin e parë të demokracisë me organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve, kanë thënë përfaqësues të lartë vendorë e ndërkombëtarë.


Udhëheqës të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare kanë përgëzuar subjektet politike, qytetarët dhe organizmat tjerë që kontribuuan në organizimin e zgjedhjeve të djeshme komunale, të cilësuara tashmë si të lira e demokratike.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se Kosova e kaloi testin e parë të demokracisë me organizimin e suksesshëm të këtyre zgjedhjeve.

"Është një provim i dhënë për zhvillimin e demokracisë në Kosovë dhe ecjen tonë si vend dhe, natyrisht, për stabilitetin e qëndrueshëm të punës së institucioneve të vendit", ka thënë Sejdiu gjatë një konference për media.

Presidenti Sejdiu megjithatë nuk e ka fshehur edhe befasinë e tij me shpejtësinë e publikimit të rezultateve zgjedhore nga ana e KQZ-së duke besuar se reagimi i këtij trupi do të duhej të ishte më i shpejtë.

"T'ju them të drejtën unë kam pritur të ketë komunikim më të hershëm të rezultateve. Mendoj se duhet një urgjencë më tepër. Por, duhet ta them se është përvoja e parë e këtij trupi që të punojë si i pavarur vetë".

"Me rëndësi është që të ketë objektivitetin, edhe pse të ketë shpejtësinë të reagojë si i pari, po ashtu është tepër e nevojshme", ka thënë presidenti kosovar.

Ndersa Kryeministri Hashim Thaci u shpreh sot se "e kam thënë edhe më parë dhe e them edhe sot se Kosova u dëshmua si kampion i demokracisë në rajon".

Organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve e ka përshëndetur edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

"Votuesit e Kosovës, politikanët e saj dhe zyrtarët e ngarkuar me organizimin dhe udhëheqjen e zgjedhjeve i kanë treguar botës se një Kosovë e pavarur është një vend ku demokracia mund të lulëzojë", ka thënë ambasadori Dell, nëpërmjet një komunikate për opinion.

Ai u ka shprehur lëvdata edhe serbëve që morën pjesë në votime, duke i përgëzuar për guximin.


********


Rezultatet Paraprake


Koalicioni i organizatave joqeveritare "Demokracia në Veprim" ka dalë me rezultate preliminare të zgjedhjeve të djeshme në 12 komuna.

Sipas këtij koalicioni, në Prishtinë ka fituar Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës me mbi 56 për qind të votave.

Pas tij vjen Vegim Gashi, nga koalicioni AKR-LDD, me mbi 20 për qind të votave dhe i treti është radhitur Astrit Salihu nga Partia Demokratike e Kosovës me mbi 11 për qind të votave.

Në Gjakovë, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 50.84 për qind të votave.

Në Ferizaj, Bajrush Xhemajli nga Partia Demokratike prin me mbi 51 për qind të votave.

Në Deçan ka fituar Rasim Selmanaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me mbi 63 për qind të votave.

Në Mamushë ka fituar Partia Demokratike Turke me mbi 72 për qind të votave.

Në Prizren, Rahovec dhe Gjilan, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike hyjnë në balotazh.

Në Mitrovicë, Partia Demokratike gjithashtu hyn në balotazh me koalicionin AKR-LDD.

Balotazh ka edhe në Pejë, Obiliq dhe Klinë midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Demokratike.

Të gjitha këto të dhëna janë nga rrjeti "Demokracia në Veprim".

********


Korrespondenti i BBC-së në Prishtinë citon vëzhgues të kenë thënë se zgjedhjet e së dielës mund të vlerësohen si një arritje e madhe, pavarësisht rezultateve, për vetë popullin e kosovës.

Zgjedhjet lokale në Kosovë, të parat të organizuara nga autoritetet vendore pas shpalljes së pavarsisë, vlerësohet sepërgjithësisht u zhvilluan të qeta. KQZ-ja tha se ato përmbushën standardet ndërkombëtare.

Incidentet e vogla që kanë ndodhur, nga KQZ, nuk konsiderohen të një rëndësie të madhe për të cënuar kredibilitetin e procesit zgjedhor.

"Të gjitha përgatitjet u bënë që zgjedhjet të ishin të lira, demokratike dhe në harmoni me standardet e larta ndërkombëtare dhe ne shpresojmë se kjo është arritur,"- tha pas mbylljes së vendvotimeve Nesrin Lushta, kryetare e KQZ-së.

KQZ tha se 45 për qind e elektoratit doli në votime, që është më shumë se në zgjedhjet e klauara.

*******

Reagimet në Beograd
Ministri serb për Kosovën në Qeverinë në Beograd, Goran Bogdanoviq, duke i cilësuar zgjedhjet lokale në Kosovë, si jolegale, ka vlerësuar se në to ka dalë një numër i vogël serbësh dhe, sipas tij, pjesa dërmuese e tyre ka respektuar qëndrimin e Qeverisë së Serbisë se nuk ka kushte për pjesëmarrjen e tyre në këto zgjedhje.

"Tani të gjithë e kanë të qartë se komuniteti serb nuk dëshiroi të pranojë rolin paraprakisht të përcaktuar që të jetë ai që t'u japë legjitimitet zgjedhjeve të jashtëligjshme"- thuhet në një komunikatë të ministrit serb Bogdanoviq.

Mirëpo, për dallim prej tij, media elektronike dhe ajo e shkruar në Beograd kanë raportuar për një pjesëmarrje të dukshme të serbëve në Graçanicë, Ranillug dhe Kllokot, ndërsa simbolike ka qenë jehona nëpër komunat në veri të Kosovës - Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Në të njëtjën kohë, Televizioni shtetëror i Serbisë njoftoi se të dielën në Graçanicë, për mungesë të kuorumit, ishte anuluar një mbledhje e Komisionit parlamentar të Kuvendit të Serbisë me qëllim të mbështetjes së serbëve të mos dalin në zgjedhje.

DICITURAT FOTO GALERI

1 - Voton Sejdiu
2 - Voton Thaçi
3 - Ne nje pike votimi
4 - Te rinj pas votimit
5 - Sheshi Nene Tereza ne Prishtine diten e votimeve



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›