Zgjedhjet, Prençi: Puna e policisë, korrekte
TIRANË- Korrekte dhe profesionale e ka quajtur punën e bërë nga strukturat e policisë në zgjedhjet e përgjithshme të 28 Qershorit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi.
Deklaratën Prençi e ka bërë sot në një takim që zhvilloi me drejtuesit e policive në Qarqet e vendit dhe ata Rajonal të Policisë Kufitare e Migracionit.
Ai vlerësoi të rëndësishëm mbështetjen dhe bashkëpunimin me Prezencën e OSBE-së, Misionit PAMECA III, Programin ICITAP, KQZ-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme, lidhur me trajnimin e rreth 5500 punonjësve të policisë të të gjitha niveleve, të angazhuar gjatë procesit zgjedhor.
Prençi gjithashtu vlerësoi të rëndësishëm në përgatitjen profesionale të strukturave të rendit, të angazhuar në këto zgjedhje, mbështetjen financiare të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, e cila financoi botimin e 6000 kopjeve të "librit të xhepit" me detyrat e punonjësve të Policisë së bashku me 400 kopje të Kodit Zgjedhor, të cilat ju shpërndanë strukturave policore që ligji i ngarkonte me detyra për garantimin e procesit zgjedhor.
Sipas burimeve të Zyrës së shtypit në Policinë e Shtetit, gjatë ditës së zgjedhjeve dhe deri me datë 01.07.2009, nga shërbimet e Policisë së Shtetit janë realizuar ndërhyrje në Qendrat e Votimit dhe në Vendet e Numërimit të Votave me vendim të Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe të Komisioneve Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve.
Sipas këtyre burimeve, nga ana e policisë janë bërë 22 ndërhyrje për të stabilizuar situatat e krijuara.