E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Rama mbledh sot vendorët e PS-së

Kryetari socialist do të takojë sot të zgjedhurit lokalë në Teatrin e Operas dhe Baletit. Në qendër të debatit pritet të jenë problemet me kartat e identitetit. 

TIRANE-Kryetari socialist, Edi Rama mbledh sot të gjithë të zgjedhurit vendorë në një takim të zgjeruar në Teatrin e Operas dhe Baletit. Zgjedhjet, problemet me përgatitjen e procedurave të procesit elektoral, strategjia e PS-së për të mbledhur sa më shumë votues si edhe një vlerësim për punën e deritanishme, pritet të jenë sot në qendër të aktivitetit të PS-së. Sipas burimeve nga PS-ja, fillimisht do të jetë fjala e kryetarit Edi Rama, e cila do të jetë e hapur edhe për mediat. Ndërsa në pjesën tjetër, që do të jetë e mbyllur për publikun, do të jepen udhëzime konkrete për rrethet dhe të gjithë aktivistët dhe anëtarët e PS-së. Tashmë PS-ja hyn në një fazë të re dhe shumë intensive të përgatitjeve zgjedhore. Sipas burimeve, në takimin e sotëm do të diskutohen me prioritet të gjitha problemet që janë hasur në këtë periudhë kohore me kartat e identitetit. Paraprakisht, PS-ja ka evidentuar të gjithë shtetasit që nuk kanë pasaporta dhe mes tyre, të gjithë ata që kanë deklaruar hapur votën për PS-në. Në bazë të një plani elektoral, i cili u mbajt shumë i fshehtë, i gjithë organizimi i socialistëve është përqendruar në bazë, atje ku do të dalin votat për të. Ka muaj të tërë që të deleguarit e kryesisë dhe të Asamblesë Kombëtare bashkë me të zgjedhurit vendorë kanë nisur punën e tyre për evidentimin e të gjithë mbështetësve. Tashmë edhe në bashkëpunim me rrjetin e vullnetarëve, pothuaj janë shpërndarë më së miri detyrat për të kontaktuar derë më derë me zgjedhësit. Burimet bëjnë të ditur se rrjeti i vullnetarëve ka bërë edhe një raportim në lidhje me shifrat e mbështetësve që ka verifikuar drejtpërdrejt në terren. Ky raportim vlen si mënyrë sondazhi, por asgjë nuk bëhet publike, për të mos krijuar probleme shifrash, ndërsa duhen edhe 4 muaj deri në ditën e zgjedhjeve. Faza e dytë e punës së socialistëve në bazë është edhe puna me të gjitha kategoritë e zgjedhësve të lëkundur, ata që abstenojnë, të cilët duket të jenë në një shifër të lartë kësaj radhe. Për këtë qëllim janë ngritur edhe grupet e patronazhit, të cilët do të përfundojnë punën e tyre me përfundimin e zgjedhjeve në 28 qershor.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›