Zgjedhjet, Shehi në “Publikisht”: Opozita të gjejë dakordësinë për një kandidat të vetëm! Konflikti në PD? Sherr kush është i pari

Dalja në zgjedhjet vendore me një kandidat të përbashkët dhe bashkimi në një front të vetëm të faktorit opozitar që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, janë dy pikat që, për kreun e LZHK-së Dashamir Shehi, nëse do të arriheshin do të sillnin fitoren më 14 maj.
I ftuar në “Publikisht” në RTSH, Shehi u shpreh se dalja me më shumë se një kandidat do të sillte çorientim dhe ndarje të votave. Ndalur te marrëveshja e firmosur mes tij dhe kreut të Bindjes Demokratike, Astrit patozi, Shehi tha se janë të mirëpritur të gjithë ata që janë kundër qeverisë së kryeministrit Rama.
“Shpresojmë të gjejmë bashkëpunimin për një kandidat të vetëm. Boll futëm 2-3, se qytetarët bëhen lëmsh dhe votat ndahen. Të bien dakord të gjithë dhe gjykoj që këto do jenë zgjedhjet më të mira për opozitën shqiptare dhe një mundësi. Por nëse ne po bëjmë garë se kush është kryetari, atëherë jemi duke e shopërdporuar. Të gjejmë një kandidat të përbashkët dhe forcat që punojnë kundër Ramës të futen në garë me idene vetë. Janë të mirëpritur dhe zotërinj të tjerë”, tha Shehi.
Për situatën në PD, ku dy grupime brenda kësaj partie janë në një betejë ligjore, Shehi tha se nuk ka asnjë platformë dhe e se e gjithë “lufta bëhet se kush është i pari”. Edhe pse kreu i PD, i zgjedhur nga Rithemelimi, Sali Berisha ka paralajmëruar protestë kombëtare më 3 mars, Shehi u shpreh se për ta nuk ka rëndësi.
“Aty ka dy grupe njerëzish që më shumë grinden kush është i pari. Nuk shoh ndonjë platformë. Ne nuk na intereson data 3, për ne nuk ka shumë rëndësi ta ndajnë vulën, normalja do jetë ta marrin ata që janë shumicë dhe ata të respektojnë pjesën tjetër. Këta dëshirojnë të asgjësojnë njëri-tjetrin, pro kjo nuk është demokraci”, u shpreh ai.
Gjykata e Apelit pritet të vendosë më 3 mars në lidhje me vulën e PD, teksa dy grupimet, nga njëra anë Berisha dhe nga ana tjetër Alibeaj, kanë prezsantuar secili kandidatët e tyre për zgjedhjet vendore. Nga ana tjetër, Shehi dhe Patozi njoftuan më 17 shkurt nënëshkrimin e një marrëveshje për të dalë në zgjedhje me një kandidat të tyrin nësë opozita do të paraqitet me më shumë se një kandidat.
/rtsh.al/