E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Tahiri: Denoncim për dhunuesit në zonën e Kombinatit

TIRANË- Kandidati për deputet i PS-së, Sajmir Tahiri ka deklaruar sot se do të denoncojë në Prokurori personat që kanë ushtruar presion e dhunë ndaj votuesve, komisionarëve, vëzhguesve të PS-së, si dhe ndaj kandidatëve të Partisë Socialiste në zonën e Kombinatit duke mbjellë frikë e terror për të penguar procesin e votimit. Gjatë një komunikimi me mediat nga selia e PS-së, Tahiri ka treguar një foto me njerëzit, që sipas tij kanë ushtruar presion e dhunë në KZAZ 50 në Kombinat.
"Kjo bandë përbëhej nga punonjës të policisë së shtetit të veshur me uniformë dhe civilë, punonjës të SHKB në Ministrinë e Brendshme, punonjës së Drejtorisë së Burgjeve, Ministrisë së Transporteve si dhe persona të tjerë me precedentë penal e të njohur për botën e krimit, të gjithë të armatosur me armë dhe me mbështetjen politike të drejtpërdrejtë të Ministrit Bujar Nishani, i cili drejtonte veprimtarinë e tyre nëpërmjet rojeve personale të tij"- tha Tahiri.
Sipas tij, në 12 Qendra Votimi, vëzhguesit e Partisë Socialiste janë larguar forcërisht dhe nuk janë lejuar më të vëzhgojnë procesin zgjedhor, duke cenuar kështu në thelb integritetin e procesit të votimit dhe të drejtën e PS për të monitoruar me vëzhguesit e saj procesin e votimit në këto qendra.
Tahiri sqaroi me tej se gjithë këto veprime u sfiduan nga zgjedhësit e Kombinatit, Sharrës, Misto Mames dhe të gjithë zonës 50, duke i besuar Partisë Socialiste shumicën dërrmuese të votave të vlefshme.
Ai, në emër të Partisë Socialiste do të dorëzojë në Prokurori një kallëzim penal për secilin prej këtyre personave, shoqëruar më të gjithë materialet filmike që provojnë aktivitetin e tyre kriminal ditën e zgjedhjeve, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të tyre nga çdo detyrë publike të paguar me taksat e qytetarëve si dhe fillimin e ndjekjes penale për dhunën e ushtruar ndaj zgjedhësve, komisionerëve dhe vëzhguesve të Partisë Socialiste.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›