E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezultati i Lezhës, sherr mes anëtarëve të majtë e të djathtë në KQZ

TIRANË- KQZ miratoi sot me debate tabelat e rezultateve për qarkun e Lezhës, i cili përmbyll dhe tabelat e rezultateve për të 12 zonat zgjedhore të ndara sipas 12 qarqeve të vendit. Ndërkohë, që tre komisionerët e opozitës në KQZ refuzuan të marrin pjesë në votimin e sotëm.


Gjatë shqyrtimit të qarkut të Lezhës, debati u ndez për rezultatet e KZAZ-së, nr. 37 që sipas përfaqësuesit të PD-së, Njazi Kosovrasti, nuk janë futur në rezultat votat e 11 qendrave të votimit. Sipas tij, shkak për këtë është bërë refuzimi i komisionerëve të PS-së në këtë Komision Zgjedhor Zonal për të zbatuar ligjin. "Refuzimi i përfaqësuesve të PS-së për hedhjen në tabelën përmbyllëse të rezultateve të qarkut Lezhë të 11 QV-ve është një qëndrim i jashtëligjshëm dhe i qëllimshëm i komisionerëve socialistë, për të cilin ne kemi gati kërkesën ankimore", tha Kosovrasti. Ai shtoi se "zhurma e PS-së për Fierin ka ndodhur në përmasa më të mëdha në qarkun e Lezhës". Nderhyjne përfaqësues e PS-së në KQZ, duke thene se "shkeljet e ligjit në rastin e qarkut të Fierit janë më të rënda se ato të Lezhës. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, kërkoi që Komisioni të përfshijë me vendimmarrjen e tij 11 QV-të në tabelat e rezultateve të Lezhës.


Nga ana e tij, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, në përpjekje për të qetësuar situatën në sallën e komisionit, e quajti një garë jo të ndershme të diskutosh se cila palë e ka bërë gabimin më të madh. "Në këto momente KQZ vetëm kontrollon shifrat dhe mënyrën e pasqyrimit në tabelë. Aty ku ka vendimmarrje të paligjshme të komisionerëve ata do t'i nënshtrohen ankimit, për t'u rishqyrtuar bashkë me tabelën përmbledhëse në një fazë të dytë. Dua të vë në dukje se më duket si garë aspak e ndershme që të diskutohet se kush e bërë gabimin më të madh. Shkelja e ligjit është shkelje e ligjit në të gjitha krahët njësoj dhe të hysh në garë që ne e kemi bërë më të vogël dhe ju më të madh kjo nuk ka sens dhe etikë", deklaroi kryetari Ristani para votimit të rezultateve të Lezhës.


Sipas rezultateve paraprake të KQZ-së në qarkun e Lezhës, koalicioni "Aleanca e ndryshimit" fitoi 4 mandate, ndërsa koalicioni "Bashkimi për ndryshim" 3 mandate. Në këtë zonë zgjedhore në votimet e 28 qershorit morën pjesë 148.491 zgjedhës, ndërsa funksionuan 244 qendra votimi, të grupuara në tre KZAZ.

Miratohen rezultatet e Vlorës

Ora 12:00

Po sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me shumicë votash tabelat përfundimtare të rezultateve zgjedhore të Qarkut të Vlorës. KQZ, pasi verifikoi tabelat përmbledhëse të rezultateve të sjella nga KZAZ-të e këtij Qarku me proceverbalet përkatëse, bëri korrigjimet e nevojshme, duke miratuar më pas rezultatet përfundimtare. Sipas rezultateve paraprake të KQZ-së, në votimet e 28 qershorit në Qarkun e Vlorës koalicioni "Aleanca e ndryshimit" fitoi 5 mandate, ndërsa "Bashkimi për ndryshim" 7 mandate. Në Qarkun e Vlorës figuronin të regjistruar 277.987 zgjedhës, ndërsa funksionuan 345 qendra votimi të grupuara në 6 KZAZ. Në mesditë (ora 12:00) KQZ pritet të përfundojë shqyrtimin e tabelave të rezultateve në rang Republike me tabelat përmbledhëse të Qarkut të Lezhës.


Sipas Kodit Zgjedhor, vendimi për tabelën e rezultateve mund të ankimohet në KQZ jo më vonë se tre ditë nga shpallja e tij. Pas këtij hapi, KQZ nis shqyrtimin e ankesave të partive. Dje Partia Socialiste ankimoi rezultatin e Fierit dhe Beratit dhe vetëm pas shqyrtimin të këtyre ankesave do të kemi rezultatin zyrtar të zgjedhjeve që pritet të shapllet në fillim të gushtit.


********



KQZ miraton rezultatin e Tiranës. Subashi, kundër

8 korrik

TIRANË- Pas shumë debatesh dhe megjithë kundërshtimin e përfaqësuesve të PS-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi tabelën e rezultateve përfundimtare të zonës zgjedhore, Qarku Tiranë.
Shqyrtimi i këtij p/vendimi mbështetet mbi bazën e të dhënave të nxjerra nga KZAZ-të e këtij qarku, numri i të cilave ditën e votimeve ishte 16. Pas verifikimeve dhe korrigjimeve të nevojshme nga administrata e KQZ-së, të tabelave përmbledhëse të paraqitura nga çdo KZAZ e kryeqytetit, Komisioni miratoi rezultatet përfundimtare zgjedhore për Qarkun më të madh të vendit, me 4 vota pro dhe 3 kundër.
Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, përfaqësuese e PS-së, shpjegoi votën kundër vendimit, që sipas saj lidhet me konstatimin e disa parregullsive ligjore në disa KZAZ të Tiranës.
"KQZ, nuk është kompetente për ta miratuar tabelën sepse i referohet nenit 35 te pika 5 të Kodit Zgjedhor, i cili thotë se mungesa e një vendimmarrje në KZAZ merret në kompetencën e KQZ-së, vetëm në rastet kur KZAZ i jep kompetencën KQZ për të marrë vendimmarrjen e munguar të KZAZ-së. Në këtë fazë të procesit kjo vendimmarrje nuk është në kompetencë të KQZ-së"- u shpreh nënkryetarja e KQZ Dëshira Subashi.
Sipas rezultateve paraprake të KQZ-së, në votimet e 28 qershorit në qarkun e Tiranës koalicioni "Aleanca e ndryshimit" fitoi 16 mandate, koalicioni "Bashkimi për ndryshim" 15 mandate, ndërsa LSI 1 mandat.
Për ditën e zgjedhjeve në qarkun e Tiranës funksionuan 826 qendra votimi të grupuara në 16 KZAZ, ndërkohë që numri i zgjedhësve ishte 725.446.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›