E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Thaçi shpall fitoren e PDK

/* */

Më pas renditet LDK-ja me 25,36 për qind të votave dhe surpriza e zgjedhjeve ishte “Vetëvendosja”, e cila garon për herë të parë në fushën politike të Kosovës duke fituar menjëherë 11,97 për qind të votave. Rezultatet paraprake përkojnë me projeksionin e “Gani Bobit”, i cili ofroi të njëjtën renditje. Sipas Qendrës për Studime Humanistike, “Gani Bobi”, PDK-ja ka fituar 32 për qind të votave, LDK-ja 25 për qind, Vetëvendosja 16 për qind, AAK-ja ka fituar 12. 5 për qind, ndërsa AKR-ja 6.5 për qind. Sipas këtij exit-poll-i, pragun zgjedhor nuk e kalojnë dy subjektet: FeR - 4.5 për qind dhe LDD me 2.5 për qind. Pjesa tjetër e subjekteve nuk kanë arritur të marrin as 2.5 për qind të votave. Fituesi i zgjedhjeve vendoset zyrtarisht pas shpalljes së rezultateve përfundimtare dhe shqyrtimit të të gjitha ankesave nga KQZ-ja, me sistemin proporcional. Exit poll-et e qendrës “Gabi Bobi”, të paraqitura nga drejtuesi i kësaj qendre në Prishtinë, Shkëlzen Maliqi, nga frika e gabimeve u quajtën anketë. Sido që të jetë, Thaçi nuk mundet të formojë i vetëm qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe faza e pasvotimit duket se do të jetë më e vështirë se vetë procesi zgjedhor për të, pasi i duhet të formojë koalicion me armiqtë e tij në politikë. LDK-ja ka deklaruar se nuk do të bëjë më kurrë koalicion me PDK-në, ndërsa “Vetëvendosja” e ka dënuar ashpër politikën e tij duke ia mbyllur dyert për koalicion, të paktën me deklaratat parazgjedhore.         
Thaçi shpall fitoren
Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, shpalli fitoren e partisë së tij pak para mesnatës, duke kujtuar rezultatet e arritura nën qeverisjen e tij. Ai tha se kjo është fitore e Kosovës, fitore e demokracisë. Duke falënderuar qytetarët e Kosovës, Thaçi u shpreh se “Ju na keni dhënë përgjegjësi të reja, e që nuk janë të lehta. Për këtë ju falënderoj”, tha ai. Ai bëri thirrje që të vazhdojmë të bashkuar dhe të jemi krenarë për ndërtimin e ardhmërisë së vendit. Ai vazhdimisht bënte thirrje për demokratët e Kosovës. “PDK-ja ka shënuar fitore të thellë dhe bindëse: Në Prizren, Mitrovicë, në Gjilan, në Ferizaj, në Viti, Malishevë, Suharekë, Kamenicë, Lipjan, Kaçanikë, Skënderaj, Dragash, Klinë,...”, tha Thaçi duke vazhduar të falënderojë.
Kundërshtime
Rezultati nuk iu ka pëlqyer LDK-së, AAK-së dhe AKR-së. Zëdhënësit e tyre deklaruan se exit poll-i nuk paraqet rezultatet reale që kanë arritur këto parti në zgjedhje. Zëdhënësja e AKR-së foli edhe për probleme në këto zgjedhje, në qendra të ndryshme votimi, në të gjithë Kosovën. Ndërsa nga ana e saj, LDK-ja deklaroi se është rreth 10 për qind përpara partive të tjera. Zëdhënësi i LDK-së, Arben Gashi, tha se rezultatet e deritanishme nuk janë aspak reale. Sipas tij, në Skënderaj dhe Drenas kanë votuar rreth 94 për qind e popullsisë. Të njëjtën gjë mbështeti edhe lëvizja “Vetëvendosje”, sipas së cilës, zgjedhjet e djeshme nuk kanë pasur asnjë ndryshim nga ato që janë organizuar më parë. Gashi shtoi se LDK-ja dyshon për manipulim të procesit, vjedhje të 16 000 votave në Skënderaj e mijëra vota në zona të tjera nga PDK-ja dhe me këtë rrezikohet legjitimiteti i zgjedhjeve. Pak pas daljes së exit-poll-it, PDK-ja vetëshpalli fitoren në Prishtinë. “Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar fitore të pakontestueshme në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit”, tha në një konferencë për media, anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Vlora Çitaku. “PDK-ja nga të dhënat që ka, është fituese e pakontestueshme e zgjedhjeve parlamentare dhe me një diferencë të thellë me 7-10 për qind me partinë e dytë në Kosovë, të cilën nuk dua ta apostrofoj. Në Prishtinë kemi shënuar rritje, jemi të parët në Rahovec, Suharekë, të mos i përmend, në shumë komuna të tjera”, tha Çitaku. “Ftoj subjektet politike që me maturi, përgjegjësi dhe zemërgjerësi, të pranojnë verdiktin e qytetarëve të Kosovës, që prej nesër të kalojmë në një faqe të re, atë të konsolidimit të institucioneve të Kosovës”, theksoi ajo.
Votimet, të cilat nisën në orën 07:00 duke kaluar kryesisht pa incidente të rëndësishme, u mbyllën zyrtarisht në orën 19:00 dhe në disa qendra pati vonesa të vogla për të mundësuar votimin e njerëzve që ishin të pranishëm dhe nuk kishin arritur të votonin. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në një konferencë për mediat tha se në 746 qendra votimi, që formonin në total 2280 vendvotime në të gjithë vendin, votuan 779 401 persona, ose 47.80 për qind e personave me të drejtë vote. Sipas zonjës Daka, në këto të dhëna përjashtohen vendvotimet e lëvizshme, të cilat pritet ta rrisin përqindjen e pjesëmarrësve në rreth 50 për qind. Në Prishtinë festojnë të dyja palët

Në rrugët e Prishtinës kanë dalë dje për të festuar simpatizantët e të dyja forcave më të më mëdha politike në vend. Pas shpalljes së fitores nga kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, mbështetësit e kësaj partie festuan me fishekzjarrë dhe flamuj elektoralë mandatin e ri qeverisës. Por, edhe mbështetësit e LDK-së nuk mbetën pas. Ata festonin duke thirrur: “LDK-ja fitoi!”. Kreu i kësaj partie, Isa Mustafa, ftoi simpatizantët e LDK-së që të presin rezultatet e KQZ-së dhe nuk ka nevojë të bëhet asnjë manifestim nga ithtarët në kryeqytet. “Ftesa jonë është që ta mbajmë qetësinë, të kryejmë punën tonë dhe pastaj të bëjmë atë që duhet”, tha Mustafa, i cili theksoi se rezultatet e vlefshme janë ato që shpall KQZ-ja. “Ato do të pranohen dhe të respektohen”, shtoi Mustafa, i cili nuk ka pranuar t’i bëhen pyetje. Rezultatet e para

Demokracia në veprim
Me 31,7 për qind të votave
të numëruara në 720 vendvotime:

PDK             34.4 për qind
LDK             25.36 për qind
Vetëvendosje         11.97 për qind
AAK             10.18 për qind
AKR             7.52 për qind
LDD             2.86 për qind
FER-i             2.26 për qind

Exit poll “gani bobi”
PDK                        32 për qind
LDK                         25 për qind
“Vetëvendosje”     16 për qind
AAK                         12,5 për qind
AKR                         6,5 për qind
FER                         4,5 për qind
LDD                         2,5 për qind

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›