Çfarë ndodhi gjatë 12 orëve në votimet e Kosovës
Dita e djeshme në Kosovë ka tërhequr vëmendjen e të gjithë botës, pasi zgjedhjet konsideroheshin një tregues i rëndësishëm mbi funksionimin demokratik të shtetit më të ri dhe pjekurinë institucionale të tij për të përballuar zgjedhje të jashtëzakonshme. 2280 vendvotime u hapën në të gjithë territorin e vendit, përfshirë edhe qendrat e lëvizshme në territorin e trazuar verior, përtej
lumit Ibër. Me gjithë thirrjet e politikanëve vendas dhe përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar për pjesëmarrje në zgjedhje, votimet nuk u karakterizuan nga numri i lartë i votuesve. Komandant i KFOR-it, Erhard Buhler, dje pas mbylljes së vendvotimeve, e ka vlerësuar ditën e zgjedhjeve në përgjithësi si të suksesshme për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë. “Në parim, gjendja e sigurisë ishte nën kontroll të Policisë së Kosovës, që u mbështet nga policia e EULEX-it. Dita në përgjithësi ishte një sukses dhe progres për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë”, tha Buhler, duke dënuar dëmtimin e qëllimshëm të shtëpisë së KFOR-it për Ekipin e Ndërlidhjes dhe Monitorimit në Zubin Potok, si një krim të kryer për të frikësuar votuesit. Incidentet e shënuara nuk mund të prishnin tisin e përgjithshëm pozitiv gjatë ditës së zgjedhjeve, por ato kanë ndodhur më shumë pasdite. Koalicioni i OJQ-ve, “Demokracia në Veprim”, me më shumë se 5 000 vëzhgues, ka raportuar se në orët e pasdites janë shënuar një numër incidentesh. Ndër incidentet më të rënda është evidentuar ai në Prizren, në qendrën e votimit 2006a, ku është arrestuar koordinatori i vëzhguesve të Partisë së Bashkimit Demokratik të Prizrenit, për posedim arme. Parregullsitë e tjera u përkisnin votimeve të shumëfishta, të kombinuara me parregullsitë teknike, ku në shumë vendvotime kanë munguar llambat ultra-vjollcë dhe sprai pa ngjyrë. Sipas OJQ-së Demokracia në Veprim, votime të shumëfishta ka pasur në Obiliq nga një zyrtar i PDK-së dhe shoqërues të tij; në Plemetin, Mitrovicë, Suharekë Ferizaj dhe Prishtinë. Probleme me llambat dhe sprain ka pasur në Pejë, Mitrovicë, Malishevë, Ferizaj, Prizren, Shtime e Gjakovë. Parregullsi të tjera janë vërejtur në Carravran të Malishevës, ku vëzhguesi i Demokracisë në Veprim është kërcënuar nga ana e komisionerëve se do të largohet nga vendvotimi. Në Llaushë, Skënderaj dhe Strellc, për disa minuta është ndërprerë energjia elektrike. Në fshatin Lugishtë e Hasit, zyrtarë të PDK-së kanë shpërndarë mbushje të telefonit brenda hapësirës së vendvotimeve. Në Prishtinë, në vendvotimin 1919e/07, kryesuesi i KVV-së ka debatuar me komisionerin që shpërndante fletëvotimet, duke ndërprerë për disa minuta procesin e votimit.
Në fshatin Sibovc të Komunës së Obiliqit, në një vendvotim kanë qenë 5 vëzhgues të të njëjtit subjekt politik. Raportohet se ka pasur raste të shpeshta ku vëzhguesit e subjekteve politike kanë bërë propagandë tek votuesit për të votuar për subjektet që ata përfaqësojnë. Veç kësaj, persona të paautorizuar kanë qenë të pranishëm në qendrat e votimit. Në fshatin Llashka-Drenovc të Malishevës, në qendrën e votimit 3008a/01R, është evidentuar një përleshje fizike mes militantëve të PDK-së dhe Vetëvendosjes. Në Ferizaj, në vendvotimin 2501d/04 R, një person ka marrë dy fletëvotime dhe i ka futur në kuti pa u penguar nga komisionerët.Më veri të Kosovës, vendvotimet u mbyllën në orën 16:00, për shkak të tensionimit të situatës nga serbët.
Çfarë thanë liderët
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ishte i pari që ka votuar nga të gjithë kryetarët e subjekteve të tjera politike. Kurti ka inkurajuar të gjithë qytetarët e Kosovës t’ua besojnë votën atyre që do t’u sjellin ndryshimet pozitive. Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka ftuar qytetarët e Kosovës që të votojnë për të ardhmen e tyre europiane. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, uroi suksesin e zgjedhjeve, duke theksuar rëndësinë e tyre. Lideri i “Fryma e Re”, Shpend Ahmeti, vlerësoi procesin e rregullt me parregullsi të vogla. Ukë Rugova, bartësi i listës “Ibrahim Rugova”, ka ftuar gjithë qytetarët të dalin dhe të votojnë. Po ashtu, edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli. Kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, vlerësoi rëndësinë e zgjedhjeve për të dëshmuar synimin e Kosovës për t’u integruar në Europë. Serbët të ndarë, vetëm Mitrovica bojkoton zgjedhjet
Pjesëmarrja e komunitetit serb në zgjedhjet e para të Kosovës së pavarur është shënuar mbi 45 për qind, me përjashtim të Mitrovicës në veri, ku me gjithë optimizmin e KQZ-së në Kosovë, bojkoti vazhdoi edhe kësaj radhe, për të treguar besnikërinë ndaj Beogradit. Rreth 60 mijë serbë që jetojnë në veriun e Mitrovicës kanë bojkotuar procesin, siç kishin paralajmëruar. Sipas “Reuters”, bojkoti është mbështetur nga autoritetet më të larta të Serbisë si presidenti, qeveria dhe kisha ortodokse serbe, të cilët nuk e njohin pavarësinë. Në Mitrovicë ishin vendosur postera që kërkonin bojkotimin e zgjedhjeve. Por, pjesa tjetër e komunitetit serb votoi. Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, paralajmëroi rrezikun e ndarjes së komunitetit serb për shkak të zgjedhjeve në Kosovë. “Fatkeqësisht, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilët kanë kandiduar në zgjedhje, ose nuk e kanë parë këtë, ose nuk kanë dëshiruar ta shohin”, tha Ivanoviç. Ndërsa veriu i Mitrovicës bojkotoi zgjedhjet, pjesëmarrja e pakicës serbe në Graçanicë ishte e paparashikuar. “Serbët po marrin pjesë në shifra shumë më të mëdha sesa më parë”, tha kryetari i Komisionit Komunal Votues, Gligorije Maskimoviç, për AFP-në. KQZ-ja kishte dërguar ekipe të lëvizshme votimi në Mitrovicë, por ato nuk mundën të rezistonin hapur përtej orës 16:00, pas kërcënimeve nga radikalët serbë. Dy prej tyre, të cilët dyshohet se kanë sulmuar qendrat e lëvizshme të votimit në veri të Kosovës, janë arrestuar nga policia e Kosovës.