Zgjedhjet, Topi: Palët të tregojnë maturi dhe vullnet politik
Presidenti Topi i ka bërë thirrje klasës politike të tregojë maturi dhe vullnet politik në procesin e zgjedhjeve ndërsa ka shtuar se 8 maj është shansi i aktit të fundit të eksperimentimit politik të zgjedhjeve në Shqipëri.
Në një takim me vëzhguesit vendor kreu i shtetit ka theksuar se zgjedhjet lokale janë një sprovë që kandidatët të paraqesin alternativat e tyre por edhe për institucionet.
“Secila palë ka peshën, rolin dhe pritësitë e veta dhe në 8 maj duhet të testojë aftësinë e secilit për të respektuar ligjin. 8 maji është rasti për të ritheksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve që të tregojmë që ato janë provë e seriozitetit në angazhimet tona në proceset integruese” theksoi Topi.
Më tej presidenti Topi theksoi se zgjedhjet janë momenti ku partitë duhet të bëjnë bilancin e mandatit qeverisës dhe të paraqesin projektet qeverisëse për 4 vitet e ardhshme.
“Qytetarët duhet të votojnë për kandidatin që ofron më shumë projekte, siguri dhe garanci për ta. 8 maji është dita e qytetarëve dhe politika duhe të përballet me verdiktin e punës së saj” shtoi më tej Topi.
Gjithashtu kreu i shtetit dënoi edhe incidentet parazgjedhore të ndodhura gjatë fushatës duke shtuar se aktet e dhunës janë të patolerueshme.
“Duket se një pjesë e kandidatëve i shikojnë zgjedhjet si një test force për militantët. Mungesa e debateve për projektet dhe alternativat, problemet e kufirit mes forcave politike janë tregues që palët politike kanë një këndvështrim të kundërt nga publiku për rolin e zgjedhjeve. 8 maji nuk është garë midis simboleve, flamujve apo militantëve por një garë që kandidatët të jetësojnë sistemin konkurues demokratik dhe modele qeverisjeje në Shqipëri” shtoi më tej Topi