E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Topi takon ambasadorin e OSBE-së Wollfarth

Presidenti Bamir Topi zhvilloi sot një takim të veçantë pune me Kreun e Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Ambasadorin Eugen Volfart. Faqja zyrtare e presidencës thekson se kreu i shtetit pasi shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme të OSBE-së në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në kryerjen e reformave zgjedhore, gjyqësore, etj,vlerësoi lart kontributin aktual të Organizatës në përgatitjet administrative të institucioneve shtetërore për zgjedhjet e afërta vendore si dhe bashkëpunimin e frytshëm institucional.

Gjatë këtij takimi pune, Kreu i Shtetit vuri në dukje domosdoshmërinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor sa më të qetë e të qytetëruar dhe të realizimit të zgjedhjeve vendore më 8 maj, sipas standardeve demokratike e në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Volfart, duke vlerësuar lart rolin e rëndësishëm e moderator të Presidentit Topi, veçanërisht në situatën parazgjedhore dhe si gjithmonë, në shërbim të interesave të qytetarëve, ndau gjithashtu të njëjtat mendime lidhur me rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve vendore korrekte, të lira e të drejta dhe sipas legjislacionit në fuqi e në përputhje me të gjitha standardet demokratike.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›