Zgjedhjet brenda PD, Basha: Gara e brendshme i shërben demokratizimit dhe bashkimit të PD-së

Në takimet me demokratë të qarkut të Korcës, Kryetar i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se do të garantojë që gara mes kandidatëve të jetë demokratike dhe se pas kësaj PD të dal një parti më e bashkuar. “Këto zgjedhje apo kjo garë brenda partisë, është një moment pa diskutim i mirëpritur dhe që i fakton mbarë opinionit publik të kundërtën e asaj që thuhet që ne jemi një parti e hapur e bazuar në vlera, që ne jemi një parti e garës, jemi pra një parti e qytetarisë, një parti europiane. Dhe pa diskutim ajo që kjo garë dëshmon, është demokratët gjithmonë e kanë mirëpritur hapjen, provat janë edhe në këtë garë, ku shumë prej kandidatëve janë produkt i hapjes”. tha lideri demokrat duke shtuar se “kërkesa ime e parë që nga kjo garë të dalim po kaq të bashkuar, në fakt edhe më të bashkuar sesa hymë sepse përgjegjësia historike me të cila na kanë ngarkuar shqiptarët, fatet e vendit, fatet e këtij qyteti, të këtij qarku shkojnë përtej interesave dhe fateve të çdo individi”, theksoi kreu i PD.
Ndërkohë për të gjithë ata që kërkojnë dorëheqjen e tij apo demokratëve që e sulmojnë Basha tha se askush nuk ka të drejtë të hedh poshtë punën e bërë dhe atë që PD ka ndërtuar deri më sot me sakrificë dhe me djersë.”E vetmja gjë që nuk mund të pranoj dhe që nuk do ta pranoj ndërkohë që investohej për këtë bashkim, duhet të investohem jo thjesht si kandidat, jo thjesht për formimin dhe kulturën se në nuk po njihemi sot dhe as këto 8 vite që kam drejtuar Partinë Demokratike falë besimit tuaj, kemi kohë që njihemi drejtpërdrejt dhe përmes medias dhe as vetëm me përgjegjësinë e kryetarit në detyrë që minimum që duhet të bëj është të garantoj që gara të ketë mbarëvajtje demokratike dhe të dalim të bashkuar. Por dhe për një arsye shumë më madhore e kërkoj. E kërkoj sepse askush nuk ka të drejtë për kurrfarë arsyeje te hedhë poshtë atë që kemi ndërtuar së bashku deri më sot. Askush! As unë, as kandidatët e tjerë dhe askush. Qejfmbetur apo jo, me të drejtë apo jo, nuk mund të hedhë poshtë sakrificën e qindra, mijëra demokratëve të Devollit dhe të Korçës dhe të gjithë Shqipërisë. Ne duhet të ndërtojmë mbi këtë sakrificë duke mësuar edhe nga ato gabime, duke ndrequr çfarë kemi në dorë të ndreqim, por jo duke rrëzuar atë që kemi ngritur vetëm me fuqinë e shpirtit tonë. Në qoftë se e ruajmë vetëdijen për këtë që kemi arritur dhe pse e kemi arritur që ua thashë që në fillim se e kemi arritur se shqiptarët u bindën që po e bëjmë këtë betejë për ta, sepse devollinjtë u bindën që kjo betejë po bëhej për ta dhe familjet e tyre. Atëherë në qoftë se e ruajmë këtë vetëdije, jam i bindur që do të dimë ta ruajmë. Në qoftë se jemi të gatshëm të ndreqim gabimet dhe gjërat brenda nesh që i kemi në dorë t’i ndreqim, nëse nga kjo garë dalim të bashkuar që është dhe duhet të mbetet qëllim në vetvete i çdo demokrati të vërtetë që vendos interes të kësaj partie si instrument i vetëm i ndryshimit dhe i shpresës për Shqipërinë, pra dhe interesat e Shqipërisë të parat atëherë ju garantoj që i kemi akoma në dorë të gjitha mjetet që i ngritën peshë shqiptarët për ndryshim, i kemi në dorë akoma të gjitha mjetet për ta rrëzuar një orë e më parë këtë regjim. Megjithatë nxitimi dhe paqartësia që mund të sundoj në zemrën e dikujt, nuk mund të kthehet në arsye për të hedhur poshtë atë që kemi ndërtuar me sakrificë, me djersë, më vuajtje dhe me gjak, së bashku këto vite. Unë e dua Partinë Demokratike kështu siç e doni ju, të fortë e të pandarë e të bashkuar. Ndaj, dhe synimi kryesor i çdo demokrati është që nga kjo garë të dalim po kaq të bashkuar, madje edhe më të bashkuar sesa futemi në këtë garë. Vetëm kështu mund të vazhdojmë betejën tonë të luftojmë dhe të mundim armikun e Shqipërisë dhe shqiptarëve, regjimin dhe njeriun që kryeson këtë regjim Edi Ramën”, tha Basha.