Gara për kryetar të PD, Basha: Reale!

Lulzim Basha e cilëson garën për kryetar të Partisë Demokratike si reale dhe të barabartë mes kandidatëve dhe hedh poshtë çdo aludim se pas disa kandidaturave qëndron ai.
“Duke qenë se ka zëra që qarkullojnë se ka kandidatë në garë që u është kërkuar kandidimi nga unë, në mënyrë që të promovoheshin në poste të ndryshme në parti, kjo është absolutisht e pavërtetë. Në këtë garë, të gjithë janë të barabartë dhe do të jetë vota e anëtarësisë që do të vendosë, siç ndodh për pozitat e tjera drejtuese në parti. Këto thashetheme, pavarësisht nga kush janë përhapur, thjesht kanë për qëllim të krijojnë konfuzion ose ndonjë avantazh të pandershëm në këtë garë”, deklaroi Basha gjatë një takimi me anëtarësinë në Pogradec.
Basha ka nisur fushatën për t’u rizgjedhur kryetar me cilësinë e kryetarit në detyrë. Ai është ndaluar në takime me strukturat e partisë në Qarkun e Beratit fillimisht, për të vijuar më pas në zonën e Korçës. Në këto takime, Basha përsërit akuzat ndaj Ramës se 25 prilli ishte një masakër elektorale, që pavarësisht nuk e ndaloi rritjen e Partisë Demokratike.