Emisioni “Përballë” në RTSH, Kadilli: Konferenca në ambientet e PD-së fitorja ime e parë

Fatbardh Kadilli, kandidat për kryetar i Partisë Demokratike, e konsideron si fitoren e parë ndaj Lulzim Bashës, daljen e tij për mediat në selinë e PD-së. Në një intervistë për gazetarin Lutfi Dervishi, në emisionin “Përballë”, zoti Kadilli tha:
“Mund ta quaj një fitoren time të parë në këtë projekt. Ditën që shpalla kandidaturën, kërkova dorëheqjen e Bashës. I bëra thirrje kryesinë që të miratojë modalitet e garës dhe shpalla kadidaturën. Partia ishte totalisht e papërgatitur. Të mësuar me faktin që kryetari nuk sfidohet. Unë ju imponova në një farë mënyre partisë që të shkonim në garë. Dhe kaluam nga si mund të tradhëtohet partia në kush është më I miri nga kandidatët. Kjo është fitorja ime e parë.”
Zoti Kadilli thotë se kandidaturat e tjera nuk i ngjallin kuriozitet politik, ndërkohë që Bashën e sheh si kandidatin më të konsumuar.
“Nuk kam parë asgjë të re. Nuk thashë që janë zero si njerëz, apo si kualitete njerëzore, apo politike, por nuk kam parë asgjë të re. Nuk shoh asgjë që të më ngjallë minimumin e kuriozitetit politik. Më i konsumuari është zoti Basha. Basha nuk ka çfarë ti thotë më politikës ndonjë gjë të re. Mund të rrijë të zvarritet por është zgjedhja e tij…”