E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, çfarë kërkojmë që të hetohet

Dokle

Partia Socialiste argumentoi dje se pretendimi i mazhorancës se nuk mund të shkelen vendimet e gjykatave bie poshtë përderisa edhe vetë opozita nuk e ka kërkuar këtë gjë. Deputeti Namik Dokle sqaroi dje se cili është objekti i komisionit hetimor parlamentar që duhet të ngrihet për këtë çështje. “Objekti i shqyrtimit gjyqësor të Kolegjit Zgjedhor ka qenë krejt i ndryshëm nga objekti i hetimit parlamentar të kërkuar nga Partia Socialiste”, tha Dokle. Ai sqaroi se përmbajtja e objektit të hetimit parlamentar që duan të ngrenë deputetet socialistë ka lidhje me çështje të tilla si: mungesa e zbatimit të ligjit gjatë numërimit të votave, shkeljet flagrante gjatë votimit në QV, mangësi në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit të procesit e të numërimit të votave, përdorimin e aseteve publike dhe administratës shtetërore në favor të një subjekti zgjedhor, presioni shtetëror ndaj punonjësve për efekte elektorale, si dhe lejet e përkohshme gjatë fushatës për personat e dënuar për vepra penale etj. “Ky objekt është në përputhje me parimet kushtetuese të mishëruara edhe në praktikën e Gjykatës Kushtetuese mbi ngritjen e Komisioneve Hetimore Parlamentare. Ky objekt që ka të bëjë me transparencën si element kyç i demokracisë, mbështetet dhe në përvojat demokratike në SHBA, Itali, Rumani për të mos përmendur dhe Afganistanin”, vijoi Dokle. Ndër të tjera, ai ka shprehur vendosmërinë e Partisë Socialiste për hapjen e kutive si një e drejtë kushtetuese.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›