E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Frika e qeverisë për hapjen e kutive tregon se PS ka fituar

Socialistët Kryetari i opozitës vijon turin e dialogut me anëtarët dhe mediat, ndalon në qytetin e Vlorës

Ngurrimi i Partisë Demokratike për të hapur kutitë e votimit tregon fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit. Kjo ishte deklarata e kreut socialist, Edi Rama, bërë dje në qytetin e Vlorës. Në vijim të turit të dialogut me gazetarët në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, kreu i opozitës është ndalur në qytetin bregdetar.

Të gjitha pyetjet kanë pasur si objekt krizën politike që është duke kaluar Shqipëria, si dhe bojkotin e Parlamentit nga ana e Partisë Socialiste. Në fjalën e tij, Rama është shprehur se çështja e hapjes së kutive nuk është për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, por vetëm për të treguar realitetin e zgjedhjeve të 28 qershorit, si dhe në të ardhmen të garantohet që të mos përsëriten të njëjtat gabime që mund të jenë bërë në këto zgjedhje. Për sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, Rama vuri në dukje se ato janë fituar prej Partisë Socialiste dhe kjo gjë duket më së miri nga ngurrimi i Partisë Demokratike për të hapur kutitë, të cilat fshehin të vërtetën në brendësi të tyre.

Për sa i përket bojkotit dhe hapjes së kutive, kryesocialisti është shprehur se e vetmja rrugë është hapja e kutive dhe nuk ka rrugë të mesme, pasi në të kundërt nëse nuk realizohet kjo gjë, protestat janë shumë afër. Gjithsesi, Rama nuk iu përgjigj pyetjes se kur do të nisin këto protesta.

“Ne jemi gati të japim ndihmën tonë për këtë krizë që nuk është vetëm politike, por tashmë po ndihet edhe te familjet shqiptare, të cilat po ndiejnë shtrenjtimin e energjisë si pasojë e keqmenaxhimit të këtij sektori nga ana e qeverisë”, nënvizoi Rama. Ai vuri në dukje se ka shumë tentativa për diversion, për blerje deputetësh, por këto gjëra nuk mund ta zgjidhin dot krizën dhe as ta thyejnë dot Partinë Socialiste.

“Nuk ndodh që PS të dorëzohet dhe të thotë që kjo e drejtë nuk ekziston dhe nëse kjo e drejtë do të vazhdojë të mohohet, Partia Socialiste do të vijojë të jetë jashtë Parlamentit pavarësisht deklaratave që mund të japë njëra apo tjetra palë”, deklaroi kryetari i selisë rozë.

Për sa i përket pyetjes se si e mendon ndërhyrjen e Metës në tryezë, Rama është shprehur se ai patjetër që mund të marrë pjesë, por vetëm në prehrin e Saliut. Për sa i përket krizës, ai tha se strukturat socialiste janë të gatshme në çdo moment të hyjnë në protestë. Ndërsa në lidhje me bllokimet e herëpashershme të këshillave bashkiakë në rrethe, Rama i ka cilësuar si pjesë e lojës politike që po bëjnë të djathtët.

Pjesa dërrmuese e pyetjeve u përqendruan në hapat e mëtejshëm dhe predispozicionin e kreu të mazhorancës për lëshime të mundshme, shtrimin e çështjeve dhe problemeve bazë që opozita kërkon të shqyrtojë. Rama në të gjitha rastet u përgjigj se kategorikisht qëndrimi i PS-së nuk ndryshon dhe se do të vijojë të kërkojë të drejtën për transparencë të zgjedhjeve, që abuzimet të mos ndodhin më. Pyetjes se sa përgjegjëse ndihet PS para ndërkombëtarëve, nëse vonohet procesi i liberalizimit të vizave, ai u përgjigj se: “aq sa përgjegjës ndihet një televizion lokal në Vlorë, pse nuk patën rezultat dhe fitime peshkatarët e qytetit”. Ai evitoi të fliste për ish-kryetarin socialist, Fatos Nano, duke komentuar me ironi se do të ishte më mirë të flitej për flamurtarin.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›