“Zgjedhjet do të jenë të lira e të drejta, Shqipëria po del nga kriza e gjatë politike”
Mbërrijnë vëzhguesit e Parlamentit Evropian. Eduard Kukan dhe 500 vëzhgues për 8 majin
Zgjedhjet lokale do të ndiqen me shumë vëmendje nga komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht nga Parlamenti Europian që kanë sjellë në Tiranë një delegacion monitorimi, të drejtuar nga Eduard Kukan.
Ky delegacion do të vëzhgojë për herë të parë zgjedhjet në Shqipëri. Më 8 maj, Kukan dhe tre eurodeputetë do të jenë në Tiranë, Elbasan dhe Himarë për të monitoruar procesin e votimit. Gjatë vizitës në Shqipëri, ky delegacion do të takohet me përfaqësues të shtetit, qeverisë dhe opozitës.
Në përgjigje të interesimit të mediave, Eduard Kukan, shpjegoi dje, qëllimin e mbërritjes së këtij delegacioni në Shqipëri.
“Parlamenti Europian vendosi të sjellë një mision ‘ad-hok’ vëzhgimi për zgjedhjet lokale në Tiranë. Kjo duhet të shikohet si një shenjë interesimi nga Parlamenti Europian për vendin tuaj. Qëllimet e takimeve të misionit do t’i shërbejnë marrjes sa më shumë që të jetë mundur informacion nga shumë lojtarë në këtë shoqëri, siç janë ato qeveritare, opozita, media dhe organizata jo qeveritare. Qëllimi këtyre takimeve është mbledhja e sa më shumë informacioni që do të raportohet në Parlamentin Europian”, u shpreh Kukan.
Më tej, Kukan, lidhur edhe nga informacionet që ka grumbulluar në orët e mbërritjes në Shqipëri, shprehet i sigurt, se zgjedhjet në Shqipëri, do të jenë të lira e të ndershme.
“Të gjithë ne shpresojmë që zgjedhjet do të jenë të lira dhe të drejta. Deri tani që flasim kemi zhvilluar tre takime dhe shpresojmë që zgjedhjet të jenë organizuar ashtu siç duhet. Të dielën do të marrim përgjigjen e duhur për atë që ne presim”, tha Kukan.
Ndërkohë, një prej vëzhguesve të delegacionit të Parlamentit Europian, Michail Tremopoulos, deputet grek dhe përfaqësues i të gjelbërve Europianë, thotë se nëse zgjedhjet e 8 majit shkojnë mirë, atëherë Shqipëria do të marrë shumë lehtë pasaportën e integrimit në Bashkimin Europian.
“Unë e kuptoj se vendi juaj po del nga kriza e gjatë politike, prandaj them se këto zgjedhje kanë rëndësi politike. Por kryesorja në zgjedhjet vendore duhet të jenë programet për zhvillimin e vendit dhe integriteti i kandidatëve. Do të doja të shikoja që demokracia të forcohet edhe në vendin tuaj. Në rast se demokracia zgjerohet dhe jeta politike bëhet më e qetë dhe më e hapur për të gjithë qytetarët, atëherë them se do të hapet më lehtë edhe rruga për integrimin tuaj në Bashkimin Evropian”- tha Tremopoulos. Ditën e hënë, pritet që delegacioni i parlamentit Europian të japë konkluzionet paraprake të misionit të tij për zgjedhjet lokale në Shqipëri. Ndërsa Shqipëria ndodhet në heshtje zgjedhore për t’i dhënë kohë elektoratit edhe 24-orë për orë dhënë votën ditën e diel.
Rëndësia e këtyre zgjedhjeve ka sjellë në Tiranë edhe drejtorin e përgjithshëm të ODIHR, Janes Lenarcic. Do të jenë 596 vëzhgues ndërkombëtar nga 30 shtete të ndryshme, vëzhgimet e të cilëve në terren për llogari të OSBE-ODHIR do të përmblidhen në raportin përfundimtar.
Krahas tyre do të jenë edhe 2200 vëzhgues vendore. OSBE-ODHIR do të japë vlerësimin për këto zgjedhje të martën gjatë një konference për shtyp nëpërmjet krye-vëzhguesit të këtij misioni amerikanit Jonathan Stonestreet.