E Diel, 1 Nëntor 2026

U ka dekë ora atyre që duan të ndalojnë ndryshimin me votë në bashkinë e Tiranës!

08-05-2011 / Nga Ilir Nikolla

Përpjekjet e javës së fundit për të ndalur rotacionin në bashkinë e Tiranës apo edhe për të njollosur cilësinë e votës, përmes emetimit të hipotezave të tilla, si ato të shpërndarjes masive të kartave të identitetit për votimet e sotme, veç sa tregojnë stadin e gjendjes psikologjike ku ndodhet tabori i opozitës. Pas 11 vitesh keqpërdorimi të zyrës së kryetarit të bashkisë, pas leximit mbarëpopullor të kartelit që ka marrë peng industrinë e ndërtimit dhe po rrënon edhe shpresat për zgjidhjen e problemit të strehimit në kryeqytet dhe pas shpërthimit të një alternative rivale, së cilës i lexohet alternativizmi në çdo pore të aktiviteteve elektorale, përpjekja për të ndalur rotacionin dhe për të delegjitimuar procesin ka shumë pak precedentë në historinë 20 vjeçare të pluralizmit në Shqipëri. Përgjithësisht, rotacionet e pushtetit në Shqipëri kanë qenë shembuj mbijetese politike si në 1997 dhe në vitin 2000 në bashkinë e Tiranës, apo shenjë civilizimi dhe pranimi të verdiktit si në 2005-n.
Por rasti i tanishëm i Edi Ramës s’mund t’i përdorë asnjërën nga të dyja përvojat, pasi për mbijetesë politike s’mund të flitet, sepse Edi Rama i ka hedhur në tavolinë zaret e të dyja funksioneve politike e publike që mban, ndërkohë që ai s’është i aftë të pranojë dinjitetin e verdiktit dhe të humbjes, pasi këtë precedent e krijoi në mënyrë të turpshme në vitin 2009. Tani kur leksioni politik është kuptuar vonë dhe është marrë vesh se është konsumuar gabimi i konkurrimit për bashkinë e Tiranës, njeriu që krijoi precedentin e 2009-s në mënyrë recidiviste po kërkon ta përsërisë paraprakisht mospranimin e rezultatit qysh përpara...
Por me një proces të supermonitoruar, me standarde deri më tani të pranuara e të mirëkuptuara nga OSBE/ODIHR-it, këtij spekulimi politik i ka dekë ora. Ai s’ka asnjë gjasë të ketë sukses, as si performancë e as si rendiment. Si formë është një përzgjedhje e stërpërdorur dhe antipatike për opinionin publik, i cili i ka mbërritur standardet evropiane të vlerësimit përpara një pjese të politikës që e përfaqëson. Ndërkohë, rendimenti është i kushtëzuar fort nga veprimi i institucioneve të administrimit të zgjedhjeve, një faktor që u vlerësua si një pikë e fortë në zgjedhjet e 28 qershorit.
Por Edi Rama duket se s’ka shumë alternativa në dorë dhe prej javësh po mundohet të shpëtojë ç’mund të shpëtohet, pra mbijetesën në krye të Partisë Socialiste.
Mbi standardet e pranimit të humbjes në PS dhe në përcaktimin (a rikonfirmimin) e lidershipit nuk është rasti të spekulohet ditën e zgjedhjeve, por paraprakisht është marrë vesh se u ka dekë ora atyre që duan të ndalojnë ndryshimin me votë të drejtimit të bashkisë së Tiranës.
Natyrisht, s’është spekulim kur kujtojmë se nga zgjidhjet e dëshpëruara s’vjen kurrë rezultati i dëshiruar...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›