E Martë, 3 Nëntor 2026

Durana Tech Park, Rama: Synojmë të rrisim eksportet dhe të ardhurat me 3,5 miliardë euro brenda dy dekadave

TIRANË, 2 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “synojmë që të rrisim eksportet dhe të ardhurat tona me afërsisht 3,5 miliardë euro brenda dy dekadave vetëm nga Durana Tech Park, gjë që e kemi studiuar dhe konfirmuar së bashku me partnerët tanë francezë në studimin e përgjithshëm”.

Në fjalën e tij në dhënien e certifikatave për rezidentët e parë të Durana Tech Park, hapësira që do të bëhet epiqendra e rritjes së sipërmarrjeve, zhvillimit teknologjik dhe ekonomik të rajonit, Rama tha se gjithashtu “synojmë po ashtu që të ardhurat në buxhetin e shtetit gjatë periudhës që po flas, vetëm nga kjo iniciativë të jenë mbi gjysmë miliard euro, që është diçka shumë domethënëse”.

Më tej, Kryeministri Rama tha se “jemi në një bashkëpunim të ngushtë me Francën, e cila sot ka marrë flamurin e vendit lider në inovacion dhe inteligjencën artificiale dhe pjesë e këtij bashkëpunimi me Francën është edhe zhvillimi i Durana Tech Park, si një destinacion për kompanitë evropiane, që vijnë nga Bashkimi Evropian për të krijuar një hapësirë në funksion të BE-së, të zhvillimit të teknologjisë në BE duke krijuar një lehtësi”.

Ndërkohë që BE, vijoi Rama, është në procesin e derregullimit të domosdoshëm për kompanitë që funksionojnë në këtë fushë.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ne iu japim atyre një hapësirë ku duke qëndruar brenda Evropës, në zemër të Evropës, në një vend në rajon që rrethohet nga kufijtë e BE-së të mund të prodhojë në funksion të BE-së”.

Rama u shpreh se “synojmë që të arrijmë shumë shpejt mbi 5 mijë mundësi për punë, për ekspertët e teknologjisë dhe profesionistëve të rinj, që do të thotë me paga shumë të larta, shumë më të larta se pagat tona”.

“Në fund fare, dëshiroj që edhe një herë tjetër t’u bëj me dije të gjithë vajzave e djemve që punojnë në këtë sektor të gjithë atyre që rrinë përpara një kompjuteri, të gjithë atyre që ëndërrojnë majat më të larta, të gjithë atyre që falë punës dhe dijes mbi teknologjinë sot kanë hedhur farën e një ndërmarrjeje të vogël që ta shikojnë Durana Tech Park si atdheun e tyre brenda atdheut tonë të madh, atdheun e një shoqërie digjitale, që aty brenda ka komplet të tjera kushte dhe komplet të tjera kushte dhe rregulla në funksion pikërisht të mënyrës se si funksionon mendja e këtyre njerëzve, gjë që unë nuk e di ta them se si, po di që funksionon në mënyrë shumë të admirueshme. Këta njerëz më mirë t’i kesh me vete se t’i kesh kundër, se kur bëhen kundër bëhen hakera dhe kur bëhen hakera bëhen problem”, përfundoi Rama.

/k.s/r.e/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›