E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Brenda vitit të ardhshëm, prokurimet publike përmes inteligjencës artificiale

TIRANË, 2 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se deri në fund të vitit të ardhshëm Shqipëria do të ketë në dispozicion një model të Inteligjencës Artificiale (IA) për të zhvilluar prokurimet publike pa pjesëmarrjen e njeriut.

Në ceremoninë e dorëzimit të certifikatave për kompanitë e para që do të bëhen pjesë e Durana Tech Park, Rama tha se Shqipëria do të jetë vendi i parë në Europë që do të përdorë një model të tillë.

“Po punojmë dhe kemi të dhëna mjaftueshmërisht optimiste se një model i tillë, i pari që do të vihet në funksion në Europë, do të jetë në dispozicion brenda vitit të ardhshëm”, tha Rama.

Kryeministri informoi se po bashkëpunohet me Microsoft për krijimin e këtij modeli.

“Jemi në një bashkëpunim me Microsoft dhe po punojmë tani edhe me vende të tjera. Kemi pasur një workshp me përfaqësues nga 16 vende që janë duke u marrë me këtë produkt dhe jemi besimplotë që do ta realizojmë“, deklaroi kryeministri.

Kreu i qeverisë bëri të ditur gjithashtu se brenda disa ditësh do të përfundojë edhe procesi i reformimit të asistentes virturale në e-Albania, Diellës, ku të gjitha veprimet do të kryhen nga ajo.

“Së shpejti prezantojmë modelin e IA në shërbimet publike, do të kalojmë nga asistentja digjitale e e-Albania-s që vetëm orienton marrësit e shërbimeve me zë në një nivel tjetër, ku do të bëjë punën që sot e bën dikush që hyn për të marrë shërbimin. Është çështje javësh, një apo dy muajsh, që ky nivel tjetër i asistencës në shërbimet dixhitale të bëhet i aksesueshëm.”, u shpreh kryeministri.

/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›