Zgjedhjet e 23 qershorit, raporti i NDI: KQZ të punojë në mënyrë të pavarur pa ndikime politike
Instituti Demokratik Amerikan paraqiti raportin parazgjedhor në Shqipëri: Nevojitet konkurrueshmëri, jo përballje force
Respektimi i afateve dhe ndikimi i partive politike në punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shqetësojnë Institutin Demokratik Amerikan. Ellen Weintraub, anëtare e delegacionit të NDI vlerësoi se ky institucion e ka ligjin në anën e tij.
“Kuadri zgjedhor i ka siguruar Shqipërisë bazën më të fuqishme deri më sot për të pasur një proces neutral dhe transparent. KQZ duhet të bëjë përgatitjet brenda afateve, pasi përballet me sfida të rëndësishme. Liderët politikë duhet të ruajnë pavarësinë institucionale të KQZ-së, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra”- u shpreh Ellen Weintraub.
Instituti rekomandon që politikanët shqiptarë të përfshihen në debate, përmes të cilave të shfaqin programet për zhvillim. Për kreun e delegacionit, guvernatori Howard Dean tha se nevojiten konkurrueshmëri, jo përballje force mes përfaqësuesve politikë. “Përgjatë 20 viteve të fundit në Shqipëri ka pasur progres të jashtëzakonshëm. Por, ende situate është e polarizuar. Klasa politike duhet të kapërcejë cinizmin, pasi zgjedhjet janë betejë idesh dhe jo njerëzish. Partitë politike kanë përgjegjësinë të ndërtojnë një sistem që të përçojë besim tek qytetarët”- theksoi Howard Dean.
Në këtë raport, Instituti Demokratik Amerikan vlerëson se gara politike mes dy partive të mëdha pritet të jetë e ngushtë, duke krijuar shqetësim tek publiku se zelli partiak “për të fituar me çdo kush”, mund të çojë në manipulime. “Partitë politike duhet t’i japin qytetarëve vizionin e tyre për zhvillimin ekonomiko-social. Partitë nuk duhet të ofrojnë përfitime materiale në këmbim të votës”- u shpreh Lousewies Van Der Laan.
Delegacioni i NDI-së gjatë datave 18-22 mars ka pasur takimeve me krerë të shtetit, partive politike, administratorë të procesit zgjedhor. Në përfundimet e tij, vërehen se ekzistojnë masa për krijimin e besimit, që mund të forcojnë mundësitë për zgjedhje demokratike.
Topalli pret delegacionin e NDI: Sillni sa më shumë vëzhgues në 23 Qershor
Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, priti në takim delegacionin e Institutit Demokratik Amerikan (NDI), të kryesuar nga znj. Lousewies van der Laan, shoqëruar nga Kryetarja e Komisionit Federal Zgjedhor znj. Ellen Weintraub si dhe Drejtori Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të NDI-së z. Robert D. Benjamin.
Zonja Jozefina Topalli falenderoi për mbështetjen që NDI i ka dhënë në vazhdimësi Shqipërisë.
Ajo shprehu kënaqësinë për miratimin me konsensus në parlament, të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ku janë reflektuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it
Zonja Jozefina Topalli tha se kam ftuar deputetët e Asamblesë së OSBE-së, të Këshillit të Europës e të Parlamenti Europian për sa më shumë vëzhgues në zgjedhjet e ardhshme të 23 qershorit.
“Jemi thellësisht të angazhuar, për sa na takon dhe plot besim se këto zgjedhje do të jenë të shkëlqyera. Uroj që të mos ndodhë si para katër vitesh, kur humbësi nuk njohu rezultatin”, tha Kryetarja e Kuvendit.