Zgjedhjet e 6 marsit, Celibashi : Janë regjistruar 11 parti! Presim koalicionet!

Afro një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit në 6 bashki të Shqipërisë, 11 forca politike janë regjistruar për të marrë pjesë.
“Në KQZ kanë paraqitur kërkesë për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore në zgjedhjet e 6 marsit, për 6 bashki 11 parti”, shkroi në Twitter Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi
Ai shkroi se , “nuk është paraqitur në KQZ dhe në asnjë KZAZ ndonjë kërkesë për regjistrim si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e pjesshme vendore, asnjë Komitet Nismëtar”.
Zoti Celibashi shtoi se, “KQZ ka 24 orë në dispozicion për të kthyer për plotësim dokumentacionin e partive me mangësi për të vijuar me miratimin e tyre në seancë. Kodi Zgjedhor parashikon se subjektet e regjistruara kanë një afat prej 24 orësh për të sjellë kërkesën për koalicione të mundshme zgjedhore”.
Po të martën Komisioni i Rithemelimit të PD-së kryesuar nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe LSI e drejtuar nga Monika Kryemadhi, kanë zyrtarizuar marrëveshjen e koalicionit mes tyre për të garuar në zgjedhje e pjesshme lokale të 6 marsit. Logoja e zgjedhur prej tyre është “Shtëpia e Lirisë”.