E Enjte, 5 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 6 marsit, PD akuzon Ramën: Ka angazhuar në fushatë Tom Doshin!

Partia Demokratike akuzoi sërish këtë të martë Kryeministrin Edi Rama se ka angazhuar në fushatë për zgjedhjet e 6 marsit në Shkodër, ish-deputetin Tom Doshi.

Në një dalje për mediat Deputetja e PD-së, Orjola Pampuri u shpreh se emërimi i Serdar Hoxhës si kryeinspektor i Ndërtimit për veriun, sipas saj ka për qëllim blerjen e votave.

“Pasi emëroi kandidaten për kryebashkiake ne Shkodër, Tom Doshi rikthen në detyrë edhe Serdar Hoxhën, në postin e kryeinspektorit për Veriun në Inspektoratin e Ndërtimit. Riemërimi i tij në këtë post ka për qëllim blerjen e votave në zonën e Velipojë gjë të cilën ai e bëri dhe në zgjedhjet e përgjithshme.

Ushtari i Tom Doshit ka akoma në prokurori një dosje të paverifikuar për të shkuarën e tij kriminale, por kjo nuk e ka penguar qeverinë ta emërojë atë në një detyrë të rëndësishme. Qëllimi është i qartë. Paratë e krimit dhe të drogës, postet e shtetit t’i përdorin për të blerë vota. Skema tashmë është e qartë, Tom Doshi njeriu që vendos për gjithçka në Shkodër në emër të Edi Ramës, emëron persona të inkriminuar për të përfituar vota.

Duke i lënë sërish në dorë Tom Doshit, përzgjedhjen e kandidates për kryetare Bashkie, emërimet në administratë, Edi Rama ka konfirmuar sërish marrëdhënien e tij të ngushtë me personin që SHBA e shpallën non grata për shkak të së kaluarës së tij kriminale, dhunimin e të drejtave të njeriut dhe përfshirjen në korrupsion”, tha Pampuri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›