E Enjte, 5 Nëntor 2026

Lufta në Ukrainë rrezikon rritjen e çmimeve, Basha: Qeveria të bëjë gati planin e masave!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar këtë të martë në lidhje me situatën ku paralajmërohet rritje çmimesh si pasoje e agresionit rus ndaj Ukrainës. Përmes një reagimi në rrjete sociale Basha thotë se qeveria duhet të marrë masa që të mundësojnë sigurimin e rezervave të mjaftueshme ushqimore si dhe të përcaktojë mënyra për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.

Në këto kushte, Basha tha se Partia Demokratike propozon dy masa, uljen e TVSH për ushqimet e shportës nga 20 në 6 % dhe heqjen e asaj që ai e cilëson taksa Rama mbi Karburantin prej 240 lekësh për litër.

“Në një situatë të rritjes së pritshme të çmimeve si pasoje e agresionit rus ndaj Ukrainës, vështirësitë ku ndodhen familjet shqiptare do të thellohen edhe më shumë.

Prandaj duhet që menjëherë qeveria të ketë gati një plan masash që të mundësojnë sigurimin e rezervave të mjaftueshme ushqimore, si dhe të përcaktojë mënyrat për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.

Për të kompensuar dhe lehtësuar familjet shqiptare në këto kushte, qeveria duhet të rimarrë në shqyrtim dy masa të propozuara nga Partia Demokratike:

  1. Uljen e TVSH për ushqimet e shportës nga 20 në 6 % dhe
  2. Heqjen e menjëhershme të taksës Rama mbi Karburantin prej 240 lekësh për litër.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›