E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ambasadori i BE në Tiranë, Soreca: Përshëndes Shqipërinë për dënimin e menjëhershëm të agresionit rus

Ambasadori i BE në Tiranë, Luiggi Soreca, në fjalën e tij në takimin me diplomatët të organizuar nga ministrja e Jashtme, ka shprehur solidaritetin dhe mbështetjen për popullin ukrainas.

“Siç e dini, Evropa e dënon në termat më të ashpër të mundshëm, agresionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse kundër Ukrainës, në shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe parimeve të kartës së OKB-së. Në të njëjtën kohë duke minuar sigurinë jo vetëm evropiane, por dhe atë globale”, tha Soreca.

Sipas tij, BE-ja ka punuar pa reshtur me të gjithë komunitetin ndërkombëtar, për të bashkuar forcat, për ti dhënë fund dhe t’i japim fund agresionit ushtarak rus, duke miratuar rezolutën përkatëse.

“Duam të falenderojmë vecanërisht Shqipërinë, si një anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB për rolin vendimtar që ka luajtur në këtë kontekst. Ju të gjithë e dini se Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të paprecedentë masash dhe sanksionesh, më të madhen ndonjëherë në histori . Ndjehem krenar që kjo po ndihmon tashmë në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj. Gjej rastin të përgëzojmë dhe përshëndes Shqipërinë për qëndrimin e saj të fortë politik në dënimin e menjëhershëm të agresionit rus, dhe në të njëjtën kohë, duke u linjëzuar plotësisht me të gjitha vendimet e BE-së, duke përfshirë sanksionet nga i pari në të fundit. Ne do të vazhdojmë të koordinojmë me partnerët tanë strategjikë rreth tavolinës dhe në mbarë botën, për t’u siguruar që ky sulm i tmerrshëm ndaj një vendi të lirë  e sovran të ndalet”, tha Soreca.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›