E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit

Të gjithë kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit institucional. Duke kujtuar se data 12 maj është edhe dita e fundit e procesit të dorëzimit të listave me emrat e kandidatëve nga ana e subjekteve politike, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, u shpreh për agjencinë e lajmeve KosovaPress se institucioni që ai përfaqëson do të kontrollojë nëse kandidatët për deputetë i përmbushin ose jo kriteret ligjore për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Në mesin e institucioneve nga të cilat KQZ do të kërkojë verifikim të kandidatëve është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vite burgim efektiv”. Andaj, për zbatimin e këtij kriteri ligjor, KQZ-ja do të kërkojë nga KGjK-ja verifikimin e listës së kandidatëve për të konstatuar nëse ndonjëri prej tyre bie ndesh me këtë kufizim”, tha Elezi.

Po sipas nenit 30 të ligjit për zgjedhjet, një person nuk mund të certifikohet si kandidat nëse ai apo ajo është: funksionar me status të veçantë në bazë të ligjit në fuqi për zyrtarët publikë; anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; zyrtar i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, apo që me vendim gjykate, përfshirë edhe vendimin e panelit zgjedhor, i është hequr e drejta për të qenë kandidat, si dhe mund të mos ketë paguar ndonjë gjobë që i është vënë nga paneli apo KQZ.

Ndërkohë, për mbulimin e shpenzimeve që kanë lidhje me organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të 7 qershorit, Qeveria e kryeministrit në detyrë Albin Kurti ka miratuar një fond me vlerë prej 10,887,186.45 euro.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›