E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e Qershorit, 5 mijë të burgosur pa karta

Nga verifikimet e kryera në terren, Avokati i Popullit ka konstatuar se procesi për këtë kategori nuk ka filluar ende. Për këtë arsye, Dobjani i ka kërkuar qeverisë të mos i privojë të burgosuritnga e drejta për të votuar në Qershor 

TIRANE-Avokati i Popullit rekomandon fillimin e menjëhershëm të procedurave për pajisjen me kartat e reja të identitetit të të burgosurve dhe paraburgosurve. Nga verifikimet e kryera në terren, ky institucion ka konstatuar se procesi për këtë kategori nuk ka filluar ende. Për këtë arsye, kreu i këtij institucioni, Ermir Dobjani i ka kërkuar qeverisë të mos i privojë të burgosurit e të paraburgosurit nga e drejta për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Referuar të dhënave që bën publike Avokati i Popullit, mësohet se janë rreth 5.000 persona që janë përjashtuar aktualisht nga procesi i pajisjes me kartat e identitetit. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Drejtësisë, në varësi të së cilës është sistemi i burgjeve. Titullari i këtij institucioni, Enkelejd Alibeaj në përgjigjen e tij zyrtare drejtuar Avokatit të Popullit, shkruan mes të tjerash se “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, si institucioni përgjegjës për trajtimin e personave të burgosur ka kërkuar fillimin e procesit të aplikimit për letërnjoftime në të gjitha burgjet. Aktualisht, jemi në pritje të përgjigjes nga Ministria e Brendshme për përcaktimin e mënyrës së bashkëpunimit, kritereve dhe autoriteteve përgjegjëse për fillimin e procesit të aplikimit për letërnjoftim në të gjitha burgjet në vend”, shprehet Alibeaj. Në sistemin e burgjeve trajtohen rreth 5.000 persona, të paraburgosur apo të dënuar me burgim, nga të cilët, më shumë se 1/5 ndodhen në katër burgjet e Qarkut Tiranë. Në përgjithësi, të gjithë të burgosurit trajtohen në 20 institucione të ekzekutimit të vendimeve penale, të vendosura në njësi të ndryshme vendore në vend.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›