E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gjykata njohu ankimimin e Alibeaj, ‘Rithemelimi’: Vendim nul, nuk përmbush asnjë kriter ligjor

Vendimi i Gjykatës së Tiranës për të pranuar ankimimin e kreut të grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj për statutin e Berishës është cilësuar si anti-ligjore dhe nul nga Komisioni i Rithemelimit.

Ivi Kaso, përfaqësuesi ligjor i ‘Rithemelimit’, tha se Alibeaj nuk është palë që përfaqëson PD, ndërsa shtoi se Gjykata e Tiranës se ka pranuar një ankimim që nuk përmbush asnjë kriter ligjor.

“Në radhë të parë dua të sqaroj se ndryshe nga sa është sqaruar në disa media dhe portale gjykata e Apelit nuk ka vendosur prishjen e vendimit të gjyqtarit Zhukri, por është pranuar ankimi nga një palë që pretendon që përfaqëson Partinë Demokratike. Kjo siç kishim parashikuar në kundërshtim me ligjin dhe me dhjetëra vendime që ka mbajtur gjykata në raste analoge. Ka shumë arsye të cilat do t’ia pamundësonin gjykatës futjen në proces pranimin si palë të Partisë Demokratike. I ashtuquajtur ankim nuk përmbush asnjë nga kriteret e përcaktuara në ligj. Personi nuk është palë. As përfaqësues legjitim i ndonjë pale. Gjykata në vendimine  sotëm duhet vetëm të verifikonte në qoftë se ankimi është firmosur nga e njëjta palë e autorizuar nga Komisioni i Rithemelimit për të marrë pjesë në proces. Mos pranimi i ankimeve nga palë që nuk legjitimohen është një praktikë shumë e konsoliduar në Gjykatën e Tiranës”, tha Kaso.

Ditën e sotme Gjykata e Tiranës pranoi si të ligjshëm ankimimin e Alibeaj lidhur me vendimin për njohjen e statutit të komisionit të Rithemelimit të Kuvendit të 11 dhjetorit 2021. Do të jetë Gjykata e Apelit nëse do të vendosë për pushimin e çështjes ose rishqyrtimin e saj me gjyqtar tjetër. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›