Zgjedhjet e përgjithshme, fitojnë të majtët, por pritet koalicion mes së djathtës
Të majtët e Republikës çeke, Social-Demokratët, kanë kryesuar votën e djeshme me 24%, edhe pse një e katërta e votave ende nuk ishte numëruar. Ndërkaq, konservatorët kishin arritur deri në orët e vona të ditës së djeshme 18.6% të votave dhe një tjetër parti e djathtë kishte marrë 14% të votës së përgjithshme që do të formulojë edhe peizazhin e ri politik në çeki. Kjo votë i jep fund edhe qeverisë kujdestare, e cila qeverisi vendin gjatë vitit të kaluar. Në këto rrethana të mungesës së një shumice absolute, formimi i qeverisë së re do të bëhet përmes krijimit të koalicioneve të mundshme. Fushata zgjedhore përfshiu në rend të ditës premtimet për reduktim të deficitit buxhetor, reformim të sistemit të pensioneve dhe luftë kundër korrupsionit. Vendi kishte një qeveri të përkohshme, që kur qeveria e qendrës së djathtë ra, ndërsa vendi ndodhej në drejtim të Presidencës së BE-së në pjesën e parë të vitit 2009. Një karakteristikë për këto zgjedhje ishte pjesëmarrja e madhe në to e votuesve. Në garë ishin 25 parti me 5000 kandidatë që konkurruan për 200 vendet e Parlamentit çek. Sondazhet e opinionit publik gjatë gjithë kohës si në fillim, ashtu edhe në fund të fushatës, u kishin dhënë të majtëve 30% të votës. Republika çeke ia ka dalë që të mos preket shumë nga kriza e rëndë ekonomike dhe sidomos ajo e deficitit buxhetor, që ka prekur një pjesë të madhe të vendeve të BE-së dhe kjo falë niveleve të ulëta të borxheve dhe rritjes së vazhdueshme ekonomike, por ndër problemet e mëdha janë ai i sistemit të pensioneve.
Ndërkaq lideri social-demokrat deklaroi se rezultatet finale të votimeve pa dyshim që nuk mund të konsideroheshin si një “sukses” dhe pavarësisht se kishte mbetur ende një pjesë votash për t’u numëruar, vendi do të kishte një qeverisje mes një koalicioni të qendrës së djathtë. çekia prej vitesh ka një problem me sistemin elektoral e zgjedhjet dhe kjo e ka ndaluar që të merret seriozisht me kryerjen e reformave rrënjësore, ku partitë kryesore që nuk ndajnë shumë opinione të përbashkëta me njëra-tjetrën e bëjnë idenë e një koalicioni të madh të pamundur. çekia, që prej 14 muajsh qeveriset nga një qeveri e përkohshme me një kabinet qeveritar neutral, për shkak të përmbysjes së qeverisë së mëparshme të djathtë. Në mars të vitit të kaluar, 4 rebelë parlamentarë votuan në një mocion mosbesimi kundër Kryeministrit të vendit Topolanek dhe qeveria e tij përfundoi në një krizë të thellë.